Ende nuk i kemi thënë babait se i kanë vrarë vajzën
Nazar Sinani është i sëmurë dhe ende nuk ka mësuar se e bija është vrarë nga bashkëshorti në burgun e Peqinit. Reportazh në familjen e viktimës së dhunës bashkëshortore
POGRADEC- Heshtja duket se ka kapluar fshatin e vogël të Slabinjës pas ngjarjes makabre të dy ditëve më parë kur burri vrau gruan dhe më pas veten në burgun e Peqinit. Gruaja, viktimë e dhunës bashkëshortore, banonte në këtë fshat të izoluar në shpatullat e maleve dhe që larg shtëpitë e saj të mbuluara me rrasa guri ngjajnë si shkëmbinj të latuar nga erërat. Të gjithë janë në pritje të mbërritjes së trupit të pajetë të Thëllëza Muços nga morgu i Tiranës ku u është bërë ekspertiza. Ajo do të varroset larg burrit të saj, Mynirit, i cili do të prehet në fshatin ngjitur, Trebinjë.
Fshati është i heshtur dhe duket sikur brenda kësaj heshtjeje e mban në vetvete këtë tragjedi që ka ndodhur në familjen e Nazar Sinanit. Kryebiseda e ditës, në të gjitha ambientet e fshatit është tragjedia e ndodhur në burgun e Peqinit. Kemi lënë qendrën e fshatit dhe në dalje të tij jemi afruar pranë shtëpisë së Nazar Sinanit, prindërve të Thëllëzës. Një shtëpi dykatëshe e heshtur ku gjenden vetëm disa gra që përgatisin shtëpinë. Dera ende nuk është hapur për të pritur njerëz për mort. Lumja, nusja e djalit të Nazarit na thotë që vjehrri është shumë i sëmurë me një tumor në grykë dhe ata ende nuk i kanë thënë për gjëmën që i ka ndodhur. “Kur të afrohet kortezhi me kufomën e të ndjerës Thëllëza, atëherë do t’ia themi lajmin e kobshëm. Njerëzit e tjerë të shtëpisë kanë ikur në Tiranë për të marrë kufomën”,- thotë nusja e shtëpisë.
Ajo tregon se tre vëllezërit e Thëllëzës janë emigrantë në Greqi dhe dje janë njoftuar me telefon për ngjarjen e ndodhur. “Na kanë njoftuar se në mesditë kanë mbërritur në Kapshticë por nuk do të vijnë menjëherë në shtëpi. Adriani, Xhevahiri dhe Shpëtimi sapo kanë marrë vesh lajmin kanë udhëtuar për të gjithë natën për të mbërritur në Tiranë për të marrë trupin e motrës së tyre”,- thotë Lumja. Ajo tregon se edhe nëna e Thëllëzës, Luzja, është nisur që në mëngjes nga Slabinja në drejtim të Tiranës për të parë trupin e të bijës. Liria është motra e madhe e Thëllëzës, e martuar në një fshat tjetër të Mokrës në Homçan. Edhe ajo është shumë e tronditur. Ndonëse është shtatzënë, dëshpërimi dhe lotët e saj flasin shumë. “Përse e bëri këtë gjëmë i la dy fëmijët jetimë, djalin dhe vajzën”,- thotë ajo duke qarë. Thëllëza kishte qenë vetëm para pak ditësh në Slabinjë dhe iu kishte korrur dhe shirë të gjithë grurin familjes e më pas e kishte futur në hambar. “Ajo ishte vajzë e qeshur e dashur dhe shumë punëtore”,- thotë e motra në mes të ngashërimit. Ajo tregon se vetëm në orën 19 e 30 minuta kufoma e të ndjerës është nisur nga Tirana e shoqëruar nga vëllezërit, nëna dhe familjarët e tjerë për në fshatin e lindjes. Sot është caktuar edhe varri i saj në Slabinjë.
---------------------------------------------------Tre vjet më parë ajo bëri divorc dhe u rimartua në Përrenjas por familja e burrit e riktheu në shtëpi
Kryeplaku: Thëllëza tentoi divorcin por nuk mundi
POGRADEC- Kryeplaku i Slabinjës, Fuat Fero, tregon se shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë është tentativa e Thëllëzës për tu ndarë nga burri. Madje një herë ajo pothuajse ia arriti qëllimit por më pas vëllezërit e burrit e kthyen në shtëpi. “Para tre vjetësh më kanë ardhur në zyrë inspektorë të policisë së Pogradecit dhe më kanë thënë se a keni dijeni ju se ku ndodhet Thëllëza Muço, se na i kanë raportuar të zhdukur. Me takt shkova në familje dhe pyeta për të por ata më thanë që ajo ndodhet në Trebinjë tek familja e burrit. Pas disa ditësh u zbulua se Thëllëza ishte martuar në një fshat në Përrenjas. Por para se të shkonte në Përrenjas, Thëllëza kishte bërë divorcin me Mynirin në kohën që ky ishte në burg dhe gjykata i kishte ndarë edhe fëmijët. Ajo kishte marrë vajzën ndërsa djalin ia kishte lënë familjes Muço në Trebinjë”,- thotë kryeplaku Fuat Fero. Sipas tij, gjatë kohës që çifti ishte ndarë Ferit Muço shkonte shpesh herë në fshat pasi donte të takonte mbesën. “Familja Sinani me shumë mirësjellje e lejonte që të takonte mbesën e vogël ndërkohë që edhe vetë ata takonin nipin që ndodhej në familjen Muço. Por kaluan disa kohë familja Muço këmbëngulte që Thëllëza të rikthehej në shtëpinë e tyre. Ata kërkonin që ajo të ndahej nga burri i Përrenjasit dhe të rikthehej për të rritur fëmijët. Thëllëza qëndroi vetëm pak javë në Përrenjas dhe më pas u nda nga burri duke u kthyer në shtëpinë e prindërve. Vetëm pak kohë më pas ajo shkoi sërish tek shtëpia e prindërve të Mynir Muços në fshatin Trebinjë, ku jetonte së bashku me dy fëmijët”,- thotë kryeplaku. Kryeplaku Fuat Feroka qenë drejtor i shkollës të fshatit Slabinjë dhe Thëllëzën e ka patur nxënëse. Ai tregon se ajo ka qenë një vajzë e urtë me përparim mesatar në mësime, e cila mbaroi vetëm arsimin tetëvjeçar. “Më pas u njoh në një dasmë në Slabinjë me Mynirin, i cili më pas e “rrëmbeu” pasi familja Sinani nuk ishte dakord me këtë lidhje”,- tregon kryeplaku.