E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbin, gjashtë të plagosur në dy aksidente

 

Aksidentet kanë ndodhur vetëm pak minuta larg njëri- tjetrit dhe të dy kanë si shkak shpejtësinë e madhe

KURBIN- Gjashtë persona janë plagosur rëndë paraditen e djeshme në superstradën Fushë Krujë-Kurbin-Lezhë si pasojë e aksidenteve automobilistike. Kjo rrugë vazhdon që të mbetet ende aksi më problematik për sa i takon aksidenteve rrugore.

Aksidentet ndodhën në orët e mëngjesit kur një autoveturë tip Benz me targa të Shkodrës u përplas me një makinë tip Fiat pa targa në afërsi të Thumanës. Sipas policisë së ndodhur në vendngjarje, shkak ka qenë ndërprerja e menjëhershme e rrugës nga automjeti me targa të Shkodrës, dhe për pasojë të dy automjetet kanë përfunduar në një arë të mbjellë me jonxhë. Nga përplasja e fuqishme që ka sjellë dhe rrotullimin ë njërit automjet në xhade, janë plagosur katër persona, drejtuesi i mjetit dhe tre pasagjerët që ndodheshin në të. Për afro gjysmë ore është bllokuar i tërë aksi rrugor ku ka një fluks shumë të madh lëvizjesh. Pas pak minutash ka ardhur dhe aksidenti i dytë në zonën e Laçit, kur një automjet i drejtuar nga një emigrant me banim në Koplik, është përplasur me një kamion me targa të Laçit, dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur të dy drejtuesit e automjeteve. Shkak i aksidentit, sipas policisë, mbetet shpejtësia e madhe me të cilën emigranti drejtonte makinën tip Fiat. Të dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Laçit dhe më pas në atë të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›