E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet e pronave djegin investimet në Fier

 

Rreth 20 kompani të huaja janë ofruar për të ngritur bizneset e tyre por mos ndarja e tokës ka bllokuar gjithçka

FIER- Konfliktet e pronësisë kanë ndaluar rreth 20 kompani të huaja, të cilat synonin që të investonin në qytetin e Fierit. Sipas kryetarit të këshillit të qarkut Fier, Luan Muça, ka pasur dyndje kërkesash dhe interesimesh nga përfaqësues të këtyre kompanive të huaja në fusha të ndryshme të ekonomisë, bujqësisë, blegtorisë, kulturës etj. Rreth 20 kompani janë interesuar më tepër në industri, energjetikë, agrobiznes dhe deri tek turizmi. Ndër më të veçantat janë kompanitë norvegjeze që duan të ndërtojnë fusha golfi në Seman. Sipas Muçës, është arritje që afrohen këto kompani por problemi vjen nga pronësia. Ai shpjegon se kjo ndodh sepse të gjithë investitorët e huaj kanë dashur ta blejnë sipërfaqen e tokës ku do të kryejnë investime, por nuk është e mundur pasi nuk është miratuar ende ligji për kthimin e pronave. “Pjesa dërrmuese e investitorëve i kanë përshpejtuar hapat dhe procedurat që kërkojnë të bëjnë sa më shpejt, por ne kemi një ngërç shumë të madh që është ai i pronës dhe shumica e kompanive të huaja, por edhe unë si kreu i qarkut, këtu e kam vështirësinë. Në fund të fundit, kompanitë janë private dhe aty ku kërkojnë të bëjnë investime, duan të blejnë edhe tokën”,- thotë Muça.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›