Lushnje, ndërtimorja prish 40 mure rrethuese
LUSHNJE- Inspektorati ndërtimor në qytetin e Lushnjes ka prishur ditën e djeshme muret rrethues të 40 banesave në rrugën “Zoi Prifti” në lagjen “Xhevdet Nepravishta”. Institucioni i bashkisë i kishte njoftuar shumë ditë më parë banorët përgjatë kësaj rruge që të largonin vullnetarisht muret rrethues. Shkak i prishjes masive të ndërtimeve pa leje në këtë lagje erdhi për arsye se kërkon të zbatohet një projekt, i cili ka të bëjë me zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës me parametra bashkëkohorë. Rreth orës 11.00 të ditës së djeshme, fadroma ka rënë mbi muret e ndërtuara në forme avllish duke i rrafshuar ato. Banorët nuk e pritën mirë ndërhyrjen e ndërtimorëve për prishjen e mureve dhe avllive, pasi ata kishin vite që i kishin ndërtuar duke bërë edhe investime që rrjedhin nga buxheti familjar. “Ne na duhet të ndërtojmë infrastrukturë rrugore të qëndrueshme dhe shumë të domosdoshme për komunitetin. Ndërtimi i një rruge të re është i domosdoshëm”,- tha kryebashkiaku Albert Sanxhaku.