Drejtori i QSUT-së: “Refatllari, në gjendje të mirë shëndetësore”
Drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, u shpreh se mjeku Refatllari tashmë ka dalë nga reanimacioni dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas tij, ai iu nënshtrua një ekzaminimi me skaner, përmes të cilit nuk u konstatua ndonjë komplikacion.
Pepa ka deklaruar se bluzat e bardha po dhunohen rëndë dhe të gjithë që ndiejnë respekt për ta duhet t’i bashkohen protestës. Ndërkohë, mjekët e QSUT-së, në bashkëpunim me Urdhrin e Mjekëve dhe Sindikatën e Pavarur të Punonjësve të Shëndetësisë, kanë vendosur që në fillim të javës së ardhshme të zhvillojnë një protestë, përmes së cilës do t’u bëjnë thirrje kolegëve në të gjithë vendin që të solidarizohen në qëndrimet e tyre për mbrojtjen e figurës së mjekut. Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Ali Refatllari, u qëllua me thikë pas shpine nga shtetasi Arben Strazimiri. Shkaku i kësaj ngjarjeje ishte vdekja e dajës së agresorit, pas operacionit të kryer nga dr. Refatllari disa ditë më parë. Nga të dhënat e Drejtorisë së QSUT-së, Refatllari ka zhvilluar gjatë këtij viti rreth 120 operacione të suksesshme.
Shërbimi i Dializës, jashtë funksionit për pacientët
DURRËS – Qyteti i Durrësit ka probleme me disa nga qendrat spitalore. Materniteti i ri i Durrësit, së bashku me godinën e re të hotelerisë, ende nuk është gati për të funksionuar, edhe pse tashmë duhej të ishin gati. Po ashtu mund të thuhet dhe për Repartin e Dializës, që do t’u ofronte shërbim 38 pacientëve, të cilët janë të detyruar që t’i kryejnë vizitat në Spitalin e Tiranës. I ndodhur në Durrës për përurimin e një qendre të re shëndetësore në zonën e Kënetës, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka deklaruar se po mundohen që këto dy godina të vihen sa më shpejt në funksionim. “Kemi pasur një kontakt me donatorët, të cilët kanë marrë kontakte edhe me drejtuesit e spitalit dhe po përpiqemi të gjejë gjuhën e mirëkuptimit që ky investim të mos zvarritet dhe të mbarojë sa më shpejt”, - u shpreh ministri Ndoka.
14 Prill 2008