E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura Shtetërore, katër qendra ku do të vlerësohen testet



Jonida Tashi

Vlerësimi i testeve të maturës këtë vit nuk do të bëhet më vetëm në Tiranë, por në katër qendra rajonale në të gjithë vendin. Ndërkohë që testi i secilit maturant do të korrigjohet në bazë të një standardi të vetëm për gjithë Republikën. Ministria e Arsimit bëri të ditur dje, se në ndryshim me një vit më parë, testet e plotësuara nga maturantët do të korrigjohen jo më në një qendër vlerësimi në Tiranë, por nga katër të tilla. Qendrat e vlerësimit të testeve do të jenë një në Tiranë, një në Elbasan, një Shkodër dhe një në Fier. Por përveç përcaktimit të tre qyteteve të tjera në të cilat do të kryhet procesi i vlerësimit të testeve të Maturës shtetërore MASH-i ka përcaktuar edhe godinat në të cilat do të behët ky vlerësim. Sipas MASH-it, çelja e tre qendrave të reja të vlerësimit kryhet për të pasur një administrim më të mirë e të sigurt të procesit. Gjithashtu, MASH-i bëri të ditur se për këtë proces do të angazhohen 30-40 vlerësues më shumë se vitet e mëparshme, por ashtu si më parë, vlerësuesit do të vijnë nga Tirana dhe nga rrethet e vendit.
Godinat
Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në MASH dhe Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) do të përzgjedhin në godinat e përcaktuara mjedise të përshtatshme dhe të sigurta, ku vlerësuesit e testeve do të punojnë të izoluar.
Mënyra se si do të përzgjidhen testet për tu vlerësuar do të jetë e rastësishme dhe me short dhe do të vendoset nga AVA. Por asnjë nga këto qendra rajonale nuk do të korrigjojë testet e saj. Për shembull, testet e rrethit Fier nuk do të korrigjohen në qendrën e vlerësimit të Fierit. AVA do të bëjë intervistimin dhe përzgjedhjen përfundimtare të vlerësuesve për secilin provim dhe më pas do ti trajnojë vlerësuesit, për një korrigjim korrekt e standard të testeve. Në mbarim të trajnimit, vlerësuesit do të certifikohen. Gjithashtu, për drejtimin teknik të procesit të korrigjimit, AVA do të caktojë në secilën qendër e për secilin provim dy specialistë, që do të përzgjidhen dhe do të trajnohen në periudhën 15 prill-1 qershor.
Drejtoritë Arsimore
Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier do të duhet të marrin masa për lirimin e mjediseve të korrigjimit në godinat e përcaktuara dhe për ruajtjen e tyre me shërbim 24-orësh me polici, ose roje civile gjatë periudhës së korrigjimit të provimeve nga 10 qershor-25 korrik 2008. Për secilin provim të Maturës Shtetërore 2008, në secilën nga katër qendrat e vlerësimit do të funksionojë në mënyrë permanente një grup administratorësh të testeve i përbërë nga një përfaqësues të AVA-s një përfaqësues të MASH dhe një përfaqësues i DAR përkatëse.

Katër qendrat e vlerësimit do të jenë:
Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”
Në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”
Në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja:
Në Fier në godinën e Drejtorisë Arsimore.

Procedura e vlerësimit të testeve
Vlerësimi i përgjigjeve
Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve/kandidatëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë
Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve
Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës/kandidat. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga nxënësi/kandidati për çdo kërkesë, vlerësohet me pikë, sipas skemës së vlerësimit
Nxënësi/kandidati vlerësohet me 0 (zero) pikë, kur jep përgjigje të gabuar ose nuk jep asnjë përgjigje
Pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit
Vlerësues të jashtëm vlerësojnë testet e provimit të Maturës
Vlerësues i jashtëm për provimet e Maturës është çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi
Drejtori i AVA-s emëron vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre
Zgjedhja e vlerësuesve të testeve
Zgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit
Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson
Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit te testeve te AVA trajnon vlerësuesit e testeve
Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga AVA dhe miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta
Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues
Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar
Monitoruesit
MASH-i ngre grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme monitorojnë testet e vlerësuara. Këta grupe gjithashtu shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve
MASH ngre komisione të posaçme (KOPOTED), që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve
Për të gjitha parregullsitë që konstaton, secili KOPOTED informon MASH-in,i cili merr vendimin përkatës
Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore
Shpallja e rezultateve bëhet jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, pas çdo provimi të Maturës

Testet, sa pyetje do të përmbajnë
Testi i provimeve të Maturës Shtetërore 2008, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative që nëse plotësohen saktë do të vlerësohen me 13 pikë, dhe 12 pyetje me përgjigje me zhvillim që do të vlerësohen me 37 pikë. Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Dy provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit dhe në një ditë. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2008, do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë dy orë e 30 minuta. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve me zgjedhje do të jetë katër orë.

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›