“Gërdeci”, merren në pyetje dy ushtarakë të lartë
TIRANË - Dy funksionarë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura janë marrë në pyetje të shtunën në Prokurorinë e Përgjithshme, në kuadër të hetimeve që po kryhen për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 15 mars në fshatin Gërdec, të Bashkisë së Vorës. Lajmi u bë i ditur nga burime pranë kësaj Prokurorie, të cilat pohuan se dy ushtarakët janë thirrur nga grupi hetimor në cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen nën hetim. Dy funksionarët e Shtabit të Përgjithshëm janë pyetur kryesisht për municionet luftarake dhe transportin e tyre në fabrikën e Gërdecit. Por, për shkak të sekretit hetimor burimet nuk preferuan të bëjnë të ditur detaje nga deklarimet e tyre.
Grupi hetimor, i ngritur në Prokurorinë e Përgjithshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ka marrë në pyetje funksionarët e lartë të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Seancat e pyetjeve të tyre kanë qenë në disa drejtime si, për vendimmarrjen për fabrikën në Gërdec, kontratat me kompaninë që administronte fabrikën, kontrollin e saj, municionin luftarak që gjendej atje, etj. Po ashtu, grupi hetimor i ka dhënë rëndësi të madhe edhe mbledhjes së të dhënave në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të shpërthimit, ku këqyrja e zonës po realizohet në bashkëpunim me ekspertë amerikanë. Në dhomat e paraburgimit ndodhen të izoluar me akuzën e “shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive”, - drejtuesit e subjekteve që administronin fabrikën në Gërdec, administratori i firmës “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji dhe drejtori teknik i kësaj firme, Dritan Minxholi, si dhe drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari. Pas ndalimit të tyre, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zgjerimin e rrethit të personave në hetim për këtë ngjarje.
14 Prill 2008