E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët në protestë, të hënën pezullohen operacionet e planifikuara

Rebelohen mjekët, tubimi i madh para Urgjencës së Kirurgjisë. Refatllari, jashtë rrezikut për jetën pas operacionit

Emanuela Sako
Pas ngjarjes së rëndë, ku këtë herë u goditën bluzat e bardha, mjekët janë rebeluar duke anuluar operacionet e planifikuara gjatë ditës së hënë. Kjo bëhet në shenjë proteste dhe respekti ndaj punës së mjekëve dhe për t’u kujtuar autoriteteve dhe qytetarëve mbrojtjen e tyre. Në një komunikatë për shtyp, të shpërndarë ditën e djeshme nga Komuniteti i Kirurgjisë në QSUT, thuhet se të gjithë mjekët duhet të mblidhen në tubim ditën e hënë, në orën 09.00, sipas një axhende të planifikuar. Komuniteti i Kirurgjisë në QSUT shprehet se kjo ngjarje nuk është as e rastësishme, as spontane, as e izoluar dhe as e papritur, por rrjedhojë e një opinioni abuziv të krijuar. Po kështu, vetëm pak orë pas ngjarjes, një tubim i madh në mbrojtje të bluzave të bardha u lajmërua edhe nga Sindikata Shëndetësore, ku u ftuan të merrnin pjesë të gjithë qytetarët dhe mjekët. Plagosja e mjekut kardiokirurg, Ali Refatllari, ka ngjallur reagime të mëdha në radhët e mjekëve në të gjithë vendin, që jo në pak raste janë bërë objekt i dhunës.
Axhenda
Komuniteti i Kirurgjisë në QSUT ka organizuar një axhendë për të shprehur pakënaqësitë ndaj opinionit që ekziston, ndaj akteve të dhunshme dhe ndaj sistemit që është ngritur për mbrojtjen e tyre.
Në këtë takim u vendos unanimisht që të bëhet një tubim ditën e hënë, datë 14.04.2008, ora 09.00, para Urgjencës Kirurgjikale të QSUT-së. Po kështu, është vendosur ndërprerja e aktivitetit kirurgjikal të planifikuar gjatë kësaj dite. Më pas pritet të ketë një konference shtypi nga përfaqësuesit e bluzave të bardha në orën 10.00 të paradites, në ambientet e QSUT-së. Komuniteti i Kirurgjisë u bën thirrje të gjithë kolegëve që të solidarizohen me qëndrimet e tyre. Ata kërkojnë të ndërgjegjësojnë gjithë opinionin e politikës shqiptare, duke i kujtuar se kur shteti nuk ekzistonte, ata kanë qenë në krye të detyrës dhe zbatimin e ligjit. “Gjejmë me vend t’i sjellim në kujtesë klasës politike shqiptare, opinionit publik dhe medias vetëmohimin, sakrificat dhe humanizmin e pashoq të personelit mjekësor në të gjitha ngjarjet tragjike të tranzicionit shqiptar, që nga viti 1991 deri te tragjedia e Gërdecit, edhe atëherë kur struktura e vetme funksionale e shtetit ka qenë shërbimi shëndetësor”,- thuhej në komunikatë.
Ngjarja
Bluzat e bardha në QSUT u tronditën dy ditë më parë për shkak të sulmit me thikë që iu bë shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë. Kardiokirurgu Ali Refatllari është plagosur me thikë nga një i afërm i ish-pacientit të tij, në orën 9 të paradites, kur mjeku po shkonte për në punë. Agresori Arben Strazimiri ka pritur para Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme që mjeku të fillonte orarin e punës për ta sulmuar atë. Ndërkohë që mjeku Refatllari ka parkuar makinën afër spitalit, qytetari i është afruar duke e qëlluar në shpatull. Sipas personave në vendngjarje, mjeku është kthyer për t’u vetëmbrojtur, duke u munduar të kapte thikën për të ndalur sulmin. Por agresori ka qenë i vendosur në aktin e tij dhe e ka plagosur edhe në dorë ndërsa mjeku përpiqej të largonte thikën. Personat që kanë qenë afër janë munduar të t’i heqin thikën nga dora agresorit, duke mos e lejuar që goditjet me thikë të përsëriteshin. Menjëherë pas ngjarjes mjeku i është nënshtruar operacionit nga kolegët e tij, ku gjithçka përfundoi me sukses. Ndërsa plaga në dorë mund t’i shkaktojë probleme në ushtrimin e karrierës së tij. Drejtoria e QSUT-së u shpreh se Refatllari ka operuar dajën e agresorit, duke zbatuar të gjitha procedurat ligjore paraprake siç veprohet për çdo qytetar. Sipas tij, mjeku ka marrë miratimin e personit dhe familjarëve të tij për ndërhyrjen kirurgjikale. Ndërkohë që agresori, duke përjetuar keq ngjarjen për humbjen e dajës së tij 10 ditë më parë, ka fajësuar mjekun që ka kryer operacionin, si shkaktar të humbjes së të afërmit të tij.

14 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›