E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Verës në Elbasan, 3 ditë festime

09/03/2011  Bashkia bën gati kalendarin, festa nis që më 12 mars

Do të çelet dhe panairi i kësaj dite, të ftuara grupe muzikore

ELBASAN- Me afrimin e 14 Marsit, Ditës së Verës Bashkia Elbasan ka menduar të kombinojë tradicionalen dhe modernen duke organizuar një sërë aktivitetesh për mbrëmjen dhe ditën më të rëndësishme të vitit për Elbasanin. Sipas këtij programi do të synohet që nëpërmjet argëtimit të promovohen në mënyrë sa më efiçente dhe pjesë të vlerave kulturore dhe turistike të qytetit. Aktivitetet do të shtrihen në 12, 13 dhe 14 mars duke u realizuar kryesisht në bulevardin “Qemal Stafa” dhe parkun “Rinia”. Dita e parë do të jetë 12 marsi me traditën, muzikën folk, turbo folk dhe valle. Në natën e dytë më 13 mars në skenë do të ngjiten artistët më të mirë shqiptarë dhe të huaj, të cilët do të jenë të pranishëm posaçërisht për këtë festë. Spektakli tradicional do të fillojë në 18.30-02.00 të mëngjesit të Ditës së Verës dhe nuk do të mungojnë edhe fishekzjarrët. Bashkia ka kërkuar të njëjtën shumë financimi si në vitet e tjera. Vlera është 25 milionë lekë të vjetra. Pritet që të bëhen pjesë e festës grupe nga Estonia, Greqia e Turqia, por edhe këngëtarë të ndryshëm që do ta bëjnë madhështore këtë festë. Ndërkohë si çdo vit Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka filluar organizimin e panairit Dita e Verës në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan. Sipas sekretarit, Edmond Popa, interesi i firmave është i kënaqshëm dhe veç firmave tradicionale ka edhe firma të reja pjesëmarrëse. Gjithsesi pritet që stendat të mbushen deri më 13 mars, kur edhe pritet të çelet ky aktivitet në shërbim të biznesit që promovon gjithashtu prodhimet tradicionale. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›