Bumçi: Rama ka abuzuar me planin urbanistik
Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka qenë sërish në qendër të sulmeve të mazhorancës. Deputeti dhe zëdhënësi i PD-së, Aldo Bumçi, ka kritikuar dje Ramën për planin francez të ndërtimit të qendrës së Tiranës. Bumçi tha se "Rama e ka mbajtur Tiranën pa plan, sepse e ka përdorur për grupin e tij dhe e ka copëtuar me studime pjesore siç është Plani Francez për qendrën që u hartua vetëm për kullat e kryetarit". Bumçi ka akuzuar Ramën për diskriminim të qytetarëve të Tiranës dhe konkretisht të pronarëve duke theksuar se mënyra e trajtimit nuk është e drejtë, pasi disa pronarë përfitojnë në kurriz të të tjerëve dhe në këtë mënyrë i hapin rrugë abuzimit. Për demokratët mënyra e qeverisjes së Tiranës nga Rama është primitive, ndaj ka theksuar ai, duhet t‘i jepet fund këtij abuzimi, duke mos votuar më për alternativën që ai parashtron. Demokratët kanë kërkuar një komision hetimor për kryebashkiakun Rama, i cili pritet të paraqitet sot në Kuvend për miratim.