E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Shkodër: "Jo" centralit bërthamor

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh dje kundër idesë së ndërtimit të një centrali bërthamor në Shkodër. Në vijim të turit të prezantimit të programit qeverisës, ai reagoi për herë të parë për këtë ide duke këshilluar banorët e zonës që të mos bien pre e premtimeve të Kryeministrit si në rastin e TEC-it në Vlorë. Rama u shpreh se në 2005-n Kryeministri u premtoi vlonjatëve se ata do të shpreheshin përmes një referendumi nëse dëshironin ose jo ndërtimin e TEC-it, por referendumi nuk u zhvillua asnjëherë. "Premtimin e dha vetëm për të marrë votat. E njëjta gjë mund të ndodhë dhe me Shkodrën. Pas 68 ditësh, ne do ta dëbojmë këtë fantazmë ndjellakeqe të centralit bërthamor nga dyert e këtij qyteti, që nuk mund të bëhet kurrë Gërdeci i Evropës dhe do ta mbyllim një herë e mirë në arkivin e gafave 18-vjeçare të politikës së vjetër idenë marroqe të centralit bërthamor në Shkodër", deklaroi kryetari i PS-së duke premtuar në këtë mënyrë se me ardhjen në pushtet, e majta nuk do t‘i rikthehet kurrë kësaj ideje. Sipas Ramës, kur Sali Berisha të shkojë në Shkodër, do të thotë se "nuk e bëjmë centralin pa qenë ju dakord". Mos harroni, vijoi Rama, se po kështu u tha vlonjatëve 4 vjet më parë për TEC-in, kur i duheshin votat dhe pastaj i rrahu dhe i futi në burg, sepse i kërkuan të mos e ndërtonte TEC-in pa mbajtur fjalën e dhënë për të bërë referendumin. Pas Shkodrës, Rama u ndal në një takim me banorë të fshatrave Daullas dhe Grecalli, të Komunës Qendër në Fier. Në këtë takim Rama premtoi se në tre vitet e para, me ardhjen e PS-së në pushtet, fermerëve nuk do u merret asnjë taksë në mënyrë që të stimulohet prodhimi vendas. "Sali Berisha nuk mund të dijë e të njoh atë situatë ku ndodhet sot Shqipëria. Ai nuk e njeh vendin dhe zgjidhjet e probleme të vendit i kalon si një ish-sekretar partie. Madje, edhe njerëzit e tij nuk e kanë të qartë ndryshimin që kërkon sot Shqipëria", tha Rama. Në këtë takim, e pranishme ishte edhe nënë Ferideja. Ajo ka udhëtuar nga fshati Plyk i Komunës Portëz, drejt Daullasit me qëllim që të mos mungonte në takimin me kreun e PS-së. Ferideja, që akuzohej për mbjellje hashashi, vetëm pak ditë më parë përfitoi nga dekreti i Presidentit dhe iu rikthye lirisë. Ajo i premtoi dje Ramës se nuk do të mungojë në asnjë takim elektoral që do të zhvillohet nga Partia Socialiste në rrethin e Fierit. Gjithashtu, gjatë takimit me Ramën, ajo premtoi që votat e të gjithë të afërmve të saj do të jenë për të majtën dhe për PS-në. Duke folur për programin e ri qeverisës si në Shkodër dhe në Fier, kreu i PS-së u përqendrua te politikat e reja për rritjen e numrit të të punësuarve në vend. Punësimi, premtoi kryesocialisti, është kryefjala e programit të ri të socialistëve "Punësimi do të jetë kryefjala e përpjekjes tonë dhe çdo i papunë do të jetë njëri ndër ne në nevojë për ndihmë", tha ai.

Prej më shumë se një jave, kreu i PS ka nisur turin e prezantimit të programit qeverisës, rezultat i 18 muajve turi "Dialog me Shqipërinë", si dhe ndihmës së partive të majta evropiane.

Berisha

"Centrali? Nuk do

ndërtohet në Shkodër"

Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë dje publikisht mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor në qytetin e Shkodrës. Në komunikimin me median, Berisha lëshoi akuza të ashpra ndaj kreut të opozitës Edi Rama. Ky i fundit, sqaroi Kryeministri, ka porositur një shkrim në Kroaci që flet për ndërtimin e centralit por diçka e tillë është e pavërtetë. "Mua më informuan që shkrimi kishte mbërritur në Kroaci me porosi nga Shqipëria. Më pas shkon në Shkodër flet për diçka që e ka sajuar vet", tha Berisha. Ai hodhi poshtë këtë mundësi teksa ironizoi Ramën duke thënë se "shumë shpejt ai do të paguajë një shkrim dhe do thotë se centrali do bëhet në Sarandë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›