Meta: Kriza, klimë e re për biznesin
Njohja e krizë, klima e re për biznesin, besimi te konsumatorët, janë ndër elementët që kreu i LSI-së, Ilir Meta, i shikon si rrugë për të dalë nga kriza ekonomike. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me tregtarët te rruga "Shyqyri Berxolli", ose siç njihet ndryshe, "Tregu çam", Meta u njoh nga afër me problemet e tregtarëve. Gjatë takimeve të zhvilluara me tregtarët, Meta u informua që shumë biznese të tilla, të detyruar nga kushtet ekonomike dhe nga xhiroja e pakët që bëhet, falimentojnë dhe mbyllin dyqanet. Në këtë kuadër, ai u shpreh se "ju e shikoni që këtu kemi dhe qepena të mbyllur, të cilët janë biznese që kanë falimentuar, kanë dështuar, dhe kjo tregon që Shqipëria është në krizë". Ndaj, theksoj ai, ne jo vetëm duhet ta njohim krizën nga afër, gjë sikurse për fat të keq nuk e bën Kryeministri aktual, por duhet ta nxjerrim vendin nga kriza dhe të krijojmë një klimë të re për biznesin. "Të krijojmë një optimizëm dhe një besim edhe te konsumatori, në mënyrë që ekonomia të dalë nga ky ngërç dhe të fillojë të lëvizë", vijoi Meta. Në bisedën me një nga tregtarët, kreu i LSI-së u informua se nuk mund të paguajnë faturën e mallit, pasi fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm. Edhe kjo zonjë e nderuar, u shpreh Meta, e konfirmoi se këta artikujt këtu i ka marrë me fatura borxh dhe nuk është dot në gjendje të përballojë as taksat e qeverisë apo të bashkisë, jo më për të arritur të përballojë jetën. Sipas kreut të LSI-së, është shumë e rëndësishme për qeverinë dhe për pushtetin vendor që të krijohet një klimë krejt tjetër për biznesin e vogël, sidomos për këtë lloj aktiviteti me të cilin merren shumë njerëz. "Në mënyrë të veçantë është e rëndësishme për invalidët, të cilët për të jetuar detyrohen të merren me këtë aktivitet dhe nuk përballojnë dot as ilaçet e tyre", u shpreh Meta. Ditët e fundit ai ka zhvilluar një sërë takimesh në zona të ndryshme të Tiranës. Fillimisht ai është ndalur në Kamzë, duke premtuar punësimin jetik. Në bazë të këtij premtimi është punësimi i minimalisht një anëtari të familjeve të cilat nuk kanë asnjë të punësuar. Më pas, në takimin e zhvilluar në Laprakë, Meta bëri disa premtime në lidhje me politikat e taksave.