Topalli: Duhet të votoni projektin "Shqipëria po ndryshon"
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj "Gratë për fitoren" në qytetin e Krujës. Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja theksoi se vizita në qytetin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është e veçantë dhe ka ftuar të gjitha gratë së bashku, të vazhdojnë projektin e Shqipërisë që ndryshon. Duke vlerësuar lart figurën e gruas, Topalli ka theksoi se "ajo që ndryshon jetën është gruaja. Ajo që ndryshon familjen është gruaja. Ajo që ndryshon çdo gjë është gruaja. Jo më kot thonë se baballarët mund të jenë të majtë apo të djathtë, kurse nënat janë gjithmonë demokrate". Ne gratë, tha kryeparlamentarja, më mirë se kushdo tjetër e dimë se fuqia e një kombi qëndron tek integriteti i shtëpisë. Por, shtoi ajo, përpos integritetit të vendit dhe të familjes gratë duhet t‘i kushtojnë vëmendje edhe shëndetit të tyre. "Unë sot dua ta përsëris se lufta kundër kancerit është prioriteti ynë. Në mandatin e ardhshëm lufta kundër kancerit do jetë edhe më e madhe. Unë dua ta kthej në një kryqëzatë. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë. Ne duhet ta fitojmë jetën", u shpreh Topalli.