E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Rreziku nga pikat e karburanteve

Sektori i karburanteve në vend paraqet një sërë problemesh, duke filluar që nga siguria, mungesa e lejes dhe licencës. Këto fakte janë pranuar edhe nga ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli, i cili në njoftimin e djeshëm për shtyp ka komunikuar të gjitha masat që do të merren ndaj fenomeneve negative të tregut. Duke marrë shkas nga aksidenti i djeshëm në Durrës, Ministria e Ekonomisë do të marrë së shpejti të gjitha masat për garantimin e kushteve të sigurisë te pikat e shitjes së naftës dhe gazit. Pak ditë më parë, qeveria miratoi vendimin "Për marrjen e masave emergjente për përmirësimin e situatës së sigurisë, si dhe të veprimtarive në instalimet dhe impiantet që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënproduktet e tyre". Sipas ministrit Ruli, qëllimi i ndërmarrjes së kësaj iniciative është vendosja e gjendjes së sigurisë së nevojshme në veprimtaritë e depozitimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.

Tregu

Në tregun e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre aktualisht operojnë rreth 120 shoqëri të pajisura nga Ministria e Ekonomisë me "leje tregtimi" (shumicë), si dhe rreth 870 stacione të shitjes me pakicë të karburanteve dhe 110 stacione të shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës (GLN). Kuptohet qartë se tregu i karburanteve paraqitet i liberalizuar, aq sa kompanitë kanë abuzuar me shkeljen e rregullave të përcaktuara në ligj. Ministria pranon se tregu paraqet probleme, ku shumë pika karburanti nuk janë të pajisura me licencë, ku një pjesë e tyre nuk garantojnë siguri dhe standarde. Për këtë qëllim kompanive iu është lënë afat tre muaj për marrjen e masave, në të kundërt do të prishen ato pika që nuk zbatojnë ligjin. Një pjesë e fajit për situatën e krijuar e mban edhe pushteti vendor, që sipas ministrisë, nuk ka qenë i kujdesshëm në dhënien e lejeve.

Në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitet të tregtimit me pakicë të karburanteve për automjete rreth 870 stacione dhe rreth 110 stacione të shitjes me pakicë të GLN. Pjesa më e madhe e pikave të shitjes është në Tiranë me 141 stacione, Fier 150, Vlorë 90 dhe Durrës 82.

Problemet

Duke i kushtuar një vëmendje të veçantë impianteve dhe instalimeve brenda territorit të zonave të banuara, nga të cilat do të fillojë dhe ky rivlerësim, ky afat është përcaktuar për dy muaj. Pikave që janë jashtë zonave të banimit do t‘u jepet tre muaj afat për të marrë masat. Në të kundërt, ministria do të njoftojë Inspektoratin Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar dhe Policisë së Shtetit për prishjen e pikave të shitjes së karburanteve.

Harta

Shpërndarja e pikave sipas prefekturave

Fieri 150 stacione

Tirana 141 stacione

Vlora 90 stacione

Durrësi 82 stacione

Korça 72 stacione

Elbasani 71 stacione

Shkodra 62 stacione

Lezha 58 stacione

Gjirokastra 44 stacione

Berati 43 stacione

Dibra 30 stacione

Kukësi 27 stacione

Kontrollet

Tirana, 37 pika pa leje

Vetëm për rrethin e Tiranës, nga 51 stacione të shitjes së karburanteve të pajisur me NIPT, 44 stacione kanë vërtetimin për kontrollin e objektit për respektimin e kushteve teknike, të lëshuar nga IQT, ndërsa 7 stacione nuk e kanë, ndërkohë që janë pajisur me "autorizim" për zhvillim aktiviteti tregtimi të naftës dhe nënprodukteve të saj lëshuar nga organet e pushtetit lokal vetëm 14 stacione, ndërsa 37 stacione nuk e kanë këtë "autorizim".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›