E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Dëmshpërblimi i të përndjekurve nuk përfshin kolaboracionistët

Hidhen poshtë pretendimet e opozitës
Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për ndryshimet në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve të regjimit komunist. Sipas tij ky ligj nuk përfshin kolaboracionistët, por bën disa përmirësime të nevojshme. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Bumçi ka hedhur poshtë shkrimet e botuara në disa gazeta, që sipas tij janë gazeta të kontrolluara nga kryetari i PS-së, Edi Rama, që shkruanin se gjoja ndryshimet në ligjin Për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë bëhen që të përfshihen edhe kolaboracionistët. "Ky është vetëm një trillim që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë nuk përfshin kolaboracionistët, por bën disa përmirësime të nevojshme që dolën në pah gjatë aplikimit të tij në lidhje me kategoritë e të pushkatuarve pa gjyq, të personave që vuajtën dënimin në kampet me tela me gjemba, si dhe zgjeron rrethin e përfituesve nga ligji", saktësoi zëdhënësi i grupit të PD-së. Sipas tij, ligji përmbush një detyrim madhor të shoqërisë shqiptare ndaj të gjithë atyre që u dënuan për bindjet e tyre politike, duke i vendosur në piedestalin e lirisë të gjithë martirët, si në rastin e Kompanisë 4000, që u flijuan kundër regjimit komunist. Në seancën e kaluar parlamentare 2 ditë më parë, kuvendi miratoi disa ndryshime në ligjin "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist" me 71 vota pro, 30 kundër dhe 1 abstenim. Në këtë seancë, deputetët votuan projektligjin në tërësi, i cili ishte miratuar në parim dhe nen për nen në seancën e 30 marsit, vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk mori pjesë në votim. Ligji u debatua fort në seancën paraardhëse pasi të dyja palët u deklaruan me qëndrime të kundërta. Valentina Leskaj, tha se projektligji dëmshpërblen kolaboracionistët. "Me këtë p/ligj po dëmshpërblehen ata që kanë qenë kolaboracionistë dhe po diskriminohen familjet e dëshmorëve, u shpreh kryetarja e grupit parlamentar të PS. Ndërsa nga ana tjetër, ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se për dëmshpërblimin e kësaj shtrese qeveria ka vënë në dispozicion rreth 30 milionë dollarë. Janë 1440 dosje të ish-të përndjekurve, të cilët brenda këtij viti do të përfitojnë dëmshpërblimin në vlerën e rreth 980 milion lekë të reja. Kjo shumë do të vihet në dispozicion të tyre në mënyrë automatike", theksoi ai. Paketa ligjore e propozuar nga dikasteri i Drejtësisë synon të zgjidhë në mënyrë integrale problematikën e dalë nga zbatimi i ligjit në fjalë dhe rivendosjen e së drejtës për kategori të përjashtuara nga përfitimi, sipas parimit të barazisë para tij. Gjithashtu, ndryshimet realizojnë dhe një saktësim të kritereve ligjore që ish-të dënuarit politikë dhe familjarët e tyre duhet të plotësojnë për të përfituar dëmshpërblimin, duke precizuar më mirë veprat penale politike, referuar legjislacionit të kohës, si dhe duke njohur si provë të internimit çdo akt administrativ apo dokument zyrtar që e provon atë. Projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, në plotësim të iniciativës ligjore të deputetit të PD-së, Astrit Bushati parashikon dëmshpërblim për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor 1944 -1 tetor 1991. Projekti përfshin dëmshpërblim edhe për ish-të dënuarit që nuk kanë lënë pasardhës në linjë të drejtpërdrejtë, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve tek vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e këtyre të fundit. Me këto ndryshime krijohet mundësia e përfitimit edhe për familjarët e klerikëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›