E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme: Opozita, pjesë e verifikimeve të listave

Ministria e Brendshme i bën thirrje Partisë Socialiste që të jetë pjesë e verifikimeve të përbashkëta në procesin e pajisjes me karta. Këtë reagim MB e ka bërë lidhur me shqetësimin e opozitës se në listat e personave pa pasaportë nuk janë të pasqyruar të gjithë shtetasit. Ministria e Brendshme dëshiron gjithashtu të shprehë qëndrimin e saj lidhur me pretendimin e paraqitur në mënyrë të përsëritur nga opozita për një numër qytetarësh që nuk zotërojnë pasaportë për udhëtim jashtë shtetit, emrat e të cilëve nuk gjenden në listat e personave pa pasaportë të dërguara pranë njësive vendore. Nga verifikimet e kryera deri më tani nga Ministria e Brendshme rezulton se ky pretendim i opozitës nuk qëndron. Pavarësisht nga kjo, Ministria e Brendshme është e gatshme të kryejë verifikime të përbashkëta me përfaqësues të opozitës për të gjithë ata qytetarë që opozita pretendon se nuk kanë pasaportë dhe nuk figurojnë në listat e publikuara të personave pa pasaportë për udhëtim jashtë shtetit, ka theksuar në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i  kësaj ministrie. Ndër të tjera ai bëri të ditur ecurinë e procesit të shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike në të gjithë vendin. "Ministria e Brendshme me anë të kësaj deklarate për shtyp u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik deri në datën 20 Mars në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë, të tërheqin letërnjoftimet e tyre. Tërheqja në kohë e letërnjoftimeve nga qytetarët lehtëson mbarëvajtjen e procesit, thekson Konja. Deklaratat nga opozita që në listën e personave pa pasaportë nuk janë të pasqyruar të gjithë shtetasit, kohët e fundit kanë qenë të shumta. Kështu deputeti i opozitës Kastriot Islami duke përsëritur qëndrimin e PS, ka theksuar se kjo forcë politike mbetet e angazhuar për të pajisur të 1 milion zgjedhësit pa pasaportë me kartë identiteti si dhe nuk do të lejojë që paaftësia apo qëllimi i kësaj qeverie për të mos pajisur me karta një numër të caktuar votuesish pa pasaportë të kthehet në një manipulim të sofistikuar që ndryshon rezultatin e zgjedhjeve. Ndërsa nga ana e tij, deputeti Taulant Balla ka theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa karta identiteti për çdo qytetar shqiptar pa pasaportë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›