E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Fushata në kulm, rritet ndjeshëm pjesëmarrja në mitingje

Kryetari i Partisë Demokratike për degën e Tiranës Aldo Bumçi, i cili është njëkohësisht dhe kandidati i tretë në listë për PD në këtë qark, gjatë një prononcimi për gazetën SOT, deklaroi se fushata e PD në Tiranë po ecën me ritme mjaft të larta. Bumçi është caktuar që të mbulojë zonën e Laprakës për zhvillimin e fushatës nga mbledhja që bënë 32 kandidatët e qarkut të Tiranës për ndarjen e zonave elektorale. Sipas Bumçit në Tiranë janë bërë 11 mitingje elektoralë, dhe pjesëmarrja e njerëzve në këto mitingje ka qenë shumë e lartë, dhe duke bërë një krahasim këtu dhe me mitingjet e bëra nga socialistët. Sipas Bumçit takimet me njerëz kanë vazhduar çdo ditë dhe nga këto takime që kanë patur kandidatët e PD, rezulton se fitorja e kësaj partie në 28 qershor është mëse e sigurt, sepse njerëzit kanë ngelur mjaft të kënaqur nga puna e bërë nga Partia Demokratike dhe qeveria Berisha gjatë këtij mandati të parë. Ndër të tjera Bumçi deklaroi se në katër vitet e ardhshme PD, dhe qeveria Berisha do të vazhdojnë të ndryshojnë Shqipërinë, duke vazhduar për të përfunduar të gjitha reformat e nisura. Ne ju kemi treguar të gjithëve se jemi qeveri e premtimeve të mbajtura dhe jo qeveri e fjalëve dhe premtimeve boshe, sepse ne në katër vjet qeverisje kemi bërë investime në miliona euro, të cilat kanë rregulluar infrastrukturën e vendit, gjithashtu kanë përmirësuar dhe jetën ekonomike të shtetasve tanë. Dhe në katër vitet e ardhshme do të jetë e njëjta punë dhe këmbëngulje për ta çuar vendin përpara, theksoi Bumçi. Gjithashtu ai theksoi se jo vetëm në zonën ku po punon ai për zhvillimin e fushatës elektorale të PD, por edhe në të gjitha zonat e tjera ku janë shpërndarë kandidatët demokratë është zhvilluar një fushatë madhështore dhe se mbështetja e elektoratit për këto fushata ka ardhur gjithmonë dhe në rritje. Ndërsa pyetjes lidhur me takimin Nano-Meta, Bumçi deklaroi se nuk ka përse të merret me të majtën, pasi vetë programi i Partisë Demokratike dhe vetë besimi që kjo parti ka krijuar tek shqiptarë nuk e bën të mendojë absolutisht për të majtën. Ne nuk na intereson kurrsesi që të flasim për të majtën, nuk na intereson në mënyrë absolute se çfarë bën e majta në vendin tonë, pasi ne jemi një forcë politike që me punën dhe forcën tonë politike kemi sjellë ndryshimin në Shqipëri dhe do ta çojmë vendin akoma dhe më përpara, deklaroi Bumçi. Sipas tij, arsyeja e parë është ajo e programit shumë të vjetër të saj, një program i cili vetëm fasadën ka ndryshuar por ngelet i njëjtë me atë program të qeverisjes së tyre 8 vjeçare në të cilën vetën rritën pasurinë e tyre personale dhe nuk bënë absolutisht asgjë për popullin, ndërsa arsyeja e dytë është braktisja që i bëri kreu i socialistëve Edi Rama, partisë së tij dhe elektoratit të tij, duke mos e vënë emrin e tij në krye të listës së kandidatëve për deputet në këto zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›