E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpenzimet marramendëse të qeverisë për fushatë, 35 milionë lekë vetëm sms nga Berisha

PD bombardon qytetarët me arritjet e Qeverisë
Partia Demokratike nuk njeh kufij shpenzimesh për fushatën e saj elektorale. Ajo nuk është ndalur vetëm tek posterat dhe flamujt e saj të cilët i ka vendosur kudo, apo dhe mitingjeve dhe thirrjeve të saj mediatike për të votuar këtë parti, por u ka dërguar mesazhe telefonike dhe të tillë nëpërmjet internetit votuesve, ku ju kërkon që në 28 qershor të votojnë PD. Fushata e PD, nuk mbaron thjeshtë me thirrjet që ju bëhet votuesve në televizione dhe mediat e tjera siç janë ato të shkruara, makinat e pajisura me megafon të cilat janë 24 orë non stop rreth e qark Tiranës duke bërë fushatë dhe propagandë për këtë parti, apo dhe mitingjeve dhe koncerteve të kësaj partie, por thirrjet e tyre për të votuar PD i gjen dhe në telefonat dhe adresat e emaileve të cilat janë personale. Por kjo metodë nuk po përdoret për herë të parë nga Berisha, i cili para pak kohësh ju dërgonte nga një mesazh vlerësimi të gjithë shqiptarëve për mbështetjen që i kishin dhënë kësaj qeverie për arritjet e saj, gjithashtu rendiste dhe arritjet e saj gjatë këtij katër vjeçari. Berisha ju ka dërguar të gjithë Shqiptarëve nga një mesazh ku ju kërkonte votën, dhe ka përdorur kompaninë telefonike mobile Vodafon për të shpërndarë mesazhin e tij, ku kostoja e këtyre mesazheve ka kapur vlerën e 35 milionë lekëve të vjetra. Le të vazhdojmë rrugën e nisur, rrugën e progresit. Le të vazhdojmë të ndihmojmë ekonomikisht familjet në nevojë. Le të vazhdojmë së bashku ndërtimin e Shqipërisë Evropiane. Votoni numrin 10. Me respekt Sali Berisha, thuhej në mesazhin e dërguar nga kryeministri Berisha. Gjithashtu Berisha ka përdorur edhe emailet personale të votuesve për tu kërkuar votën në 28 qershor. Ndër të tjera PD ka nxjerrë dhe një suplement prej 24 faqesh ku bënte prezantimin e 32 kandidatëve të saj për qarkun e Tiranës, ku tregonte të gjitha eksperiencat e kandidatëve të saj në fushat politike dhe në ato personale të tyre, dhe tregonte gjithashtu të gjitha investimet e bëra nga kjo parti gjatë këtij mandati të parë katërvjeçar. Shpenzimet e kësaj fushate nga ana e PD, janë shumë të larta dhe kanë thyer çdo rekord fushate të bërë në Shqipëri, ku vetëm organizatorët e huaj të cilët përgatisin skenat e koncerteve për mitingjet e Partisë Demokratike paguhen 20 mijë Euro për koncert, kur dihet se minimumi i mitingjeve të PD ka qenë tre të tillë në ditë. Gjithashtu vetëm për kthimin e kryeministrit Berisha, kur Shqipëria u bë pjesë e NATO, shpenzimet e koncertit pritës kapën shifrën e 1 milionë eurove, dhe po të bëjmë një llogaritje, me gjithë këto shpenzime që ka bërë PD, për fushatën e saj në qoftë se do të investoheshin në infrastrukturë, arsim, shëndetësi apo në ndonjë investim tjetër, atëherë Shqipëria sot do të ishte në kushte shumë herë më të mira. Sipas publikimeve të bëra nga PD se fushata e tyre po mbulohet nga donacionet e biznesmenëve, ku janë hapur tre llogari në bankë, dhe të ardhurat nga këto donacione kanë kapur shifrën e 168 mijë lekve të rinj, 169 mijë eurove dhe 168 mijë dollarëve. Por kaq para sa janë grumbulluar nga donacionet e bëra për zhvillimin e fushatës së PD nuk e mbulojnë kurrsesi të gjitha shpenzimet e bëra nga kjo parti për këtë fushatë elektorale, dhe po ti shtojmë këtu edhe 13 milionë lekët e rinj që janë miratuar nga KQZ për zhvillimin e fushatës për Partinë Demokratike. Këto shifra që ata kanë deklaruar nuk mbulojnë dot as mitingjet elektorale që kjo parti ka zhvilluar në Tiranë, po të kemi parasysh faktin se sa shumë paguhen këngëtarë që kjo parti merr me vete kudo ku zhvillon mitingjet e saj elektorale. Gjithashtu shpenzime kolosale kanë kapur edhe posterat e kësaj partie të cilat i gjen kudo me shumicë në çdo lagje dhe në çdo rrugë, gjithashtu dhe flamujt e panumërt që kanë zënë shtyllat elektrike apo dhe xhamat e makinave të cilat vijnë vërdallë nëpër çdo lagje për të zhvilluar fushatën e PD. Duhet shtuar gjithashtu në listën e investimeve të bëra nga PD edhe shpenzimet marramendëse që kjo parti po bën për fushatën e saj, kur me gjithë këto para mund të ishin shtruar disa rrugë fshatrash apo ndërtuar dhe një pallat ku mund të strehoheshin familjet të cilat kanë nevojë, dhe që nuk kanë një shtëpi për të futur kokën, apo të përdoreshin për të kompensuar një pjesë të ish të përndjekurve politikë apo ish pronarëve, i cili është dhe një standard i vendosur nga BE, për anëtarësimin e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›