ODIHR, apel për zgjedhje të qeta
Ambasadorja e ODIHR-it në Shqipëri, Audry Glover ka bërë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen të qeta, në mënyrë që qytetarët të votojnë të lirë dhe vota e tyre të shkoje atje ku duhet. Gjatë një prononcimi televiziv, ajo është shprehur duhet të bëhet kujdes të mos ekzagjerohet me rastet, ku ka shfaqje të dhunës.
Duhet të jemi të kujdesshëm të mos e ekzagjerojmë situatën për këto raste dhune. Kemi vetëm tre raste, të cilat janë raste të izoluara dhe nuk e dimë nëse këto kanë lidhje me zgjedhjet apo jo. Ne duam që dita e zgjedhjeve të jetë e qetë, ku qytetarët të votojnë të lirë dhe vota e tyre të shkojë aty ku duhet, është shprehur Glover, duke shtuar shpresën që të gjitha partitë politike dhe autoritetet në Shqipëri të sigurojnë që të mos ketë dhunë ditën e zgjedhjeve. Ambasadorja e ODIHR-it theksoi se misioni do të ketë 350 persona që do të vëzhgojnë zgjedhjet, të cilët do të raportojnë për çdo parregullsi që do të bëhet ditën e diel. Kemi 26 vëzhgues afatgjatë, që kanë ardhur në mes të muajit maj. Po ashtu do të çojmë vëzhgues afatshkurtër në të gjitha zonat e Shqipërisë. Do të jenë gjithsej 350 persona, që do të vëzhgojnë zgjedhjet. Ata do të kenë disa formularë, që do ti plotësojnë për mënyrën se si do të shkojnë zgjedhjet në vend, theksoi Glover.