Bumçi: Heqja e regjimit të vizave, detyrimi ynë
Partia Demokratike mbështet deklaratën e eurodeputetëve për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Kryetari i degës së PD-së, Tiranë, Aldo Bumçi, ka bërë me dije se "qeveria po punon për liberalizim të shpejtë". Nga selia e Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Aldo Bumçi, siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka që i takon asaj, për të arritur këtë objektiv. "Heqja e vizave për qytetarët tanë nuk është thjesht një qëllim politik, është një detyrë që ne i kemi vënë vetes dhe do ta realizojmë shumë shpejt, ashtu siç realizuam anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE", u shpreh Bumçi. Por për këtë, bashkëpunimi me opozitën është i domosdoshëm. Ndaj, ditën që në Partinë Socialiste votimi për kryetarin pritej të rikonfirmonte Edi Ramën, deputeti Bumçi u bën thirrje deputetëve socialistë të futen në Parlament. "Ftojmë opozitën të vijë në Parlament duke lënë mënjanë interesat personale të Edi Ramës dhe t‘i bashkëngjitet këtij objektivi për të përmbushur një nga detyrimet për të cilat zgjedhësit e tyre i kanë votuar", u shpreh Bumçi.