Imami: Më 2010 do hiqet rekrutimi i ushtarëve
Në fund të vitit 2009, nuk do të ketë më rekrutë për shërbimin ushtarak, pasi ky shërbim do të kalojë me pagesë. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka siguruar dje të gjithë se kjo ministri do të realizojë të gjitha reformat në ushtri ashtu siç janë parashikuar në ligjin ushtarak të miratuar para një viti nga Kuvendi i Shqipërisë. Ministri Imami tha se "po marrim masa dhe me fillimin e vitit të ardhshëm do të zbatojmë këtë reformë". Ministria e Mbrojtjes, një vit më parë, paraqiti në Kuvend një projektligj ku kërkohej të bëheshin disa ndryshime në ligjin bazë për funksionimin e ushtrisë. Në të parashikohej që të hiqej rekrutimi i të rinjve shqiptarë për t‘i futur në radhët e ushtrisë dhe që nga fillimi i vitit 2010 do të jenë pjesë e ushtrisë të rinjtë që duan të bëjnë këtë detyrë kundrejt një pagese të vendosur nga qeveria shqiptare. Vetëm pak muaj kanë mbetur nga viti 2009, viti i cili do të mbyllë shërbimin ushtarak të detyruar për të gjithë ata të cilët tashmë e kanë nisur atë dhe më pas do të vihet në zbatim reforma e re. Ky propozim i Ministrisë së Mbrojtjes u bë me qëllimin e mirë për të rritur efikasitetin e nivelit të shërbimit në radhët e ushtrisë, pasi dihet tashmë që pjesa më e madhe e të rinjve që janë pjesë e ushtrisë nuk shkojnë me dëshirë në ushtri dhe për rrjedhojë nuk kryejnë me respekt dhe dinjitet detyrën e ngarkuar. Gjithashtu, kjo reformë në ushtri bëhet edhe në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ku është e zbatueshme një praktikë e tillë dhe vendi ynë duhet të unifikojë praktikat sipas standardeve të kërkuara nga aleanca.
E.Gj.
E.Gj.