E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënës serbë e kroatë përleshen Pragë

Që armiqësitë e vjetra, të thelluara më shumë edhe nga luftërat e fundit të ndërsjella në territoret e ish-Jugosllavisë, mes kroatëve dhe serbëve vazhdojnë edhe më tej, se ato po barten edhe nga bijtë e tyre dhe se vështirë se ato të pushojnë në ndonjë të ardhme të afërt, e tregon edhe ngjarja e hidhur me motive etnike që ndodhi ditët e fundit në kryeqytetin e Çekisë, Pragë. Një zënkë që nisi me sulme ofenduese verbale të ndërsjella para hotelit "Albion" në Pragë, mes nxënësve të dy shkollave të mesme kroate dhe serbe, që kishin ardhur për udhëtime turistike në kryeqytetin çek dhe ishin vendosur në të njëjtin hotel, mori gati formën e një përleshjeje masive, duke shkaktuar edhe të lënduar.
Sipas medias serbe, sherrin e filluan nxënësit e një shkolle të mesme të Zadarit që sapo panë bashkëmoshatarët e tyre të një gjimnazi matematikor të Beogradit, filluan të thërrisnin në kor "Ubij, ubij Srbina" (Vrite, vrite serbin). "Kushedi se çfarë do të ndodhte nëse në vend të nxënësve të gjimnazit matematikor do të ishin nxënës të shkollave të mesme të tjera të Beogradit, pasi dihet që ‘matematicienët‘ janë fëmijë të qetë dhe nuk janë të prirur të provokojnë zënka dhe kjo është arsyeja se përse zënka nuk pati pasoja fatale. Sidoqoftë, një profesor dhe udhëheqësi turistik nga Novi Sadi u goditën nga nxënësit kroatë", i tha medias drejtori i gjimnazit serb, Sërgjan Ognjanoviç, sipas të cilit policia çeke nuk ishte në gjendje të garantonte hyrje dhe qëndrim të sigurt në hotel, kështu që nxënësit dhe profesorët serbë e kaluan natën në autobus.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, pas incidentit në Pragë, i dërgoi ambasadës së Kroacisë në Beograd një notë proteste të ashpër, ku dënonte çdo akt dhune të kryer mbi bazën e motiveve etnike.

M.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›