PS: S‘jemi ne fajtorë për mosliberalizmin
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Partisë Socialiste ndaj deklaratës së bërë nga deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Nëpërmjet zëdhënëses së partisë, Armela Imeraj, selia rozë thekson se "PS ka dhënë gjithçka për NATO-n e BE-në, është koha që Berisha të përballet me përgjegjësitë". Sipas PS-së, "Sali Berisha e la Shqipërinë të fundit në rrugën e liberalizimit të vizave, sepse u mor me pasurimin e familjes së tij jo me plotësimin e kushteve për këtë proces". Zëdhënësja thekson se "opozita ka dhënë gjithçka për integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Sot është koha që Sali Berisha të përgjigjet për zgjedhjet e deformuara, drejtësinë e gjunjëzuar dhe ekonominë në rrënim. As fajësimi i opozitës, as martesa me Metën dhe as krushqia me Nanon nuk e shpëtojnë dot Sali Berishën nga përballja me përgjegjësitë e tij të rënda".