E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Short i paligjshëm në Gjykatë

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste e konsideroi të paligjshëm shortin e hedhur në gjykatë për çështjen e ministrit Basha. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë e PS, Ylli Manjani hodhi dyshime, se çështja e Lulzim Bashës i ra me short gjyqtares Fatmira Hajdari. “Zonja Hajdari është gruaja e të ndjerit deputet të Partisë Demokratike Azem Hajdari, që u vra 10 vite më parë. Për socialistët nuk është rastësi që dosja e ministrit të Berishës ra në duart e një personi të lidhur me PD”, tha Manjani. PS i bëri apel qeverisë “që të largojë duart nga drejtësia, sepse asnjë gjykim i cenuar ligjërisht e moralisht nuk mund ta shpëtojë nga drejtësia ministrin Basha”. Në emër të PS, kryetari i komisionit të Ligjeve në Asamblenë e PS, Ylli Manjani dha një konferencë për shtyp ne selinë e PS, ku deklaroi se “për çështjen Basha u hodh një short i paligjshëm, që e çoi ministrin e Partisë Demokratike në duart e një gjykatësi të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike”.
“Në bazë të nenit 278/2 të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha veprimet hetimore dhe vlefshmërinë e tyre e shqyrton i njëjti gjyqtar, pra në rastin konkret, gjyqtari i cili gjykoi tre javë më parë kërkesën për pezullimin e afateve lidhur me hetimin e dosjes penale të Lulzim Bashës duhet të shqyrtonte edhe kërkesën e të pandehurit Lulzim Basha. Por, kjo nuk ndodhi”, tha Manjani.
PS deklaron se ky rast nuk është i pari i këtij lloji. Sipas tyre manipulimi i shortit për gjykimin e dosjeve u bë edhe me çështjen e Damir Fazlliçit. Manjani akuzoi se në të dyja rastet është shkelur Kodi i Procedurës Penale. “Të dyja këto dosje janë devijuar drejt gjykatësish të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike dhe kjo ka ndodhur në shkelje të plotë të Kodit të Procedurës Penale, të ligjit e të etikës së domosdoshme për çdo lloj gjykimi e jo më për gjykimin e këtyre dy skandaleve të mëdha me prapavijë të qartë politike e dëme të dukshme ekonomike e morale për qytetarët shqiptarë”. PS sqaron se nuk ka rastësi në këtë mes, kur dosje kaq të rëndësishme si ajo e “Bashës” dhe “Fazlliç” të bien në duart e gjyqtarëve, që kanë lidhje të ngushta me Partinë Demokratike. Në këtë kuadër, PS i bën apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia. “Ne e denoncojmë publikisht këtë farsë politike dhe i bëjmë apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia, sepse asnjë gjykim i cenuar ligjërisht e moralisht nuk mund ta shpëtojë nga drejtësia as ministrin e pandehur dhe as sekserin serb të Sali Berishës”, tha Manjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›