Kazinotë, Braçe përplaset me Boden
Ligji i ri i Kazinove dhe lojërave të tjera të fatit është bërë sërish objekt debati ndërmjet qeverisë dhe Partisë Socialiste. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi, se ligji bëhet për interesat e klienteliste të Kryeministrit. Braçe theksoi se “ne i kërkojmë Sali Berishës që ta tërheqë mbrapsht këtë ligj, si një ligj klientelist, korruptiv dhe kriminal”. “Nëse Sali Berisha nuk e bën këtë gjë, propozimet tona janë të gatshme për të vendosur kufizime në këtë ligj në ato aspekte për të cilat ju thashë, fillimisht në moshën e lojtarëve dhe të punësuarve në këtë biznes të vesit e më tej, për të rikthyer në parametra optimalë, duke shmangur efektin korruptiv të pagesave të licencave, veçanërisht për kazinotë. Megjithatë, propozimet teknike do të jenë ditën e hënë në tavolinën e kryetares së Kuvendit, duke i përfshirë që të tria këto”, tha Braçe. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Financave, e cila hodhi poshtë qëndrimin e socialistëve. “Ligji përmes çlirimit të burokracisë dhe monopoleve të lejeve, synon që t’i japë fund akuzave për klientelizëm korruptiv e politik. Tellallët e pjesës abuzive të lojërave të fatit vajtojnë parajsën e humbur të licencave dhe patentave”, deklaroi zëdhënësja Eva Simoni.