E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka hyn në garë: Jam gati të marr PD-në e Tiranës

 

ADI SHKEMBI

Pas Besnik Mustafajt dhe Gjergj Bojaxhiut, garës për kryetar të Partisë Demokratike në Tiranë i shtohet edhe Edi Paloka. Deputeti i kryeqytetit prej dy legjislaturash, ish-zëdhënësi i PD-së ka bërë të ditur dje se do të hyjë në garën e zgjedhjeve brenda partisë që pritet të zhvillohen para zgjedhjeve të përgjithshme. Në një prononcim për mediat, ai ka bërë të ditur se është gati të hyjë në këtë garë, duke theksuar se dega më e madhe është përcaktuese për mbarëvajtjen e gjithë partisë. “Dega e Partisë Demokratike të Tiranës është një degë përcaktuese për zgjedhjet. Pra është një degë që nëse e merr përsipër, duhet të jesh i bindur që nuk do të dështosh. Është një degë që të detyron suksesin. Unë jam gati që ta marr përsipër drejtimin e degës së Tiranës”, u shpreh Paloka. Futja e Palokës në garë, pritet të shtojë dilemat për drejtimin e PD-së së Tiranës, për faktin se përveç tij edhe Bojaxhiut gëzon një mbështetje të madhe në lidershipin e demokratëve. Sipas statutit të Partisë Demokratike, duhet që kandidatët për kryetarë të degëve të vijnë si propozime nga seksionet. Deputeti Paloka ka ironizuar edhe mënyrën se si ka shpallur kandidaturën Mustafaj. “Është një detyrim statusor që të propozojnë seksionet. Mund të dilja edhe unë ta shpallja kandidaturën, nuk më ndalonte askush, është e drejtë e gjithsecilit. Por kam pritur për të parë nëse realisht anëtarët e Partisë Demokratike më mendojnë si një mundësi për ta drejtuar degën e Tiranës. Pasi të konsultohem me drejtuesit e Partisë Demokratike, do të jem i gatshëm të hyj në garë”, theksoi Paloka.
Statuti
Sipas statutit të Partisë Demokratike, të miratuar në Kongresin e vitit 2005, pavarësisht faktit se kush propozohet si kandidat për një nga degët e Partisë Demokratike, do të jetë kryesia qendrore në Tiranë ajo që do të vendosë përfundimisht se mes cilëve kandidatë do të votohet. Në nenin 27 të statutit të forcës më të madhe politike në vend, në kapitullin “Kryetari” thuhet se, është pikërisht kryesia qendrore ajo që formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Më konkretisht, sipas këtij neni: “Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat”.

Besnik Mustafaj
Ish-ministri i Jashtëm, një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit Berisha deri në vitin 2007, Besnik Mustafaj, zyrtarizoi kandidaturën për kryetar të PD-së së Tiranës në muajin shtator. Ai nisi të kërkojë votën e anëtarëve të kësaj partie për t’i dhënë një fytyrë tjetër degës së kryeqytetit, sipas tij, larg asaj të parë deri tani nën drejtimin e Olldashit.

Gjergj Bojaxhi
Ish-zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, aktualisht drejtor i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, ndonëse
nuk ka dalë publikisht, përflitet si një nga kandidatët e mundshëm për të kryesuar degën e PD-së në Tiranë. Ai është parë në disa aksione në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit apo në disa dalje publike kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. 

Karriera e Palokës

Edi Paloka është zgjedhur deputet në dy legjislaturat e fundit. Në vitin 2001 ai fitoi mandatin përballë ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2005 humbi kundër ish-kreut të Doganave, Shpëtim Idrizi. Gjithsesi ai arriti të marrë një mandat deputeti vetëm dy vjet më vonë, kur pasi la mandatin Bamir Topi, u zhvilluan zgjedhjet në zonën 33 në Tiranë. Në periudhën 1999-2005, Edi Paloka ka mbajtur edhe postin e zëdhënësit të Partisë Demokratike, ndërkohë që vazhdon të jetë anëtar kryesie i kësaj partie. Në vitin 2001 ai ka qenë nënkryetar i komisionit hetimor “Për hetimin e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit në dispozicion të ministrive, institucioneve kryesore të varësisë dhe ndërmarrjeve publike nëpërmjet prokurimeve publike për periudhën 2001 e në vijim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›