Të përjashtuarit nga PS-ja, grup parlamentar më vete
Zyrtarizohet grupi i “qendrës”, mbështetje reformave të qeverisë
Paulin Sterkaj bën publikë emrat e 7 deputetëve rebelë
Seanca e radhës ditën e djeshme ka pasur surprizën e saj që në fillim të nisjes së saj. Deputeti i pavarur Paulin Sterkaj, kërkoi fjalën dhe zyrtarizoi kërkesën për krijimin e një grupi të ri parlamentar me emrin “Qendra”. Deputetët e përjashtuar nga Partia Socialiste një vit më parë, janë pjesëtarët e këtij grupi parlamentar që sipas Sterkajt, do të luajë një rol krejt tjetër nga grupet partiake që ndodhen aktualisht në Kuvend. Pjesëtarët e këtij lobi të ri në Kuvend, njihen si mbështetës së ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, të cilët u përjashtuan PS-ja për shkak se votuan për President të Republikës Bamir Topin, kandidaturën e PD-së. “Ne i kemi çuar Kryetares së Kuvendit kërkesën, duke respektuar Rregulloren e Kuvendit, për të zyrtarizuar krijimin e grupit parlamentar “Qendra”, - tha Sterkaj. Ai tha më tej se në grupin parlamentar të ri, do të marrin pjesë të përjashtuarit e PS-së, si Bukurosh Stafa, Durim Lamaj dhe Durim Hushi. Në këtë listë mungojnë dy deputetë të tjerë që u përjashtuan nga PS-ja një vit më parë, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta. Njëkohësisht, edhe vetë figura historike e së majtës, Nano, nuk ishte pjesë e kësaj liste ndonëse ajo u krijua nga mbështetësit e tij. Fatos Nano prej muajsh nuk është pjesë e asnjë grupi parlamentar. Grupit do t’i bashkëngjiten edhe deputetët Pashk Ujka i përjashtuari nga Aleanca Demokratike dhe Partia Demokristiane, Flori Bajramaj dhe Alfred Gega. Gjithsesi, ende nuk është bërë e ditur se kush do ta drejtojë këtë grup, por burime bëjnë të ditur se drejtuesi do të jetë deputeti i Malësisë së Madhe, Sterkaj.
Roli i grupit
Kryetari i grupit parlamentar të ri, Paulin Sterkaj, tha në fjalën e tij se lobi i ri i sapokrijuar në Kuvend, do të votojë të gjitha nismat ligjore që sipas tyre janë të duhura dhe në interes të vendit. Ai tha se nuk do të bëheshin me asnjë parti politike pasi vota e tyre do të jetë në interes të reformave. “Ne nuk do të mbrojmë interesa të ngushta partiake. Grupi i ri parlamentar do të ketë një rol tjetër nga grupet e tjera parlamentare, të cilat të gjitha përfaqësojnë interesa partiake. Ky grup parlamentar do të bëjë çmos që të ruajë stabilitetin polik duke mos u bërë pjesë e asnjë partie politike. Grupi i ri do të votojë të gjitha nismat ligjore të cilat janë në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit si dhe integrimit të tij”, - tha Sterkaj. Fjala e Sterkajt nuk u komentua nga asnjë deputet në Kuvend. Krijimi i këtij grupi të ri parlamentar pritet që të hapë disa shtigje të reja në politikë, veçanërisht brenda mazhorancës. Prej kohësh, brenda mazhorancës janë kërkuar ndryshime, por mungesa e numrit të mjaftueshëm të deputetëve, ka kushtëzuar edhe largimet e shumë ministrave që përfaqësojnë partitë e vogla. Burime pranë grupit të ri parlamentar bëjnë të ditur se ata do të votojnë çdo projektligj të qeverisë në rast se nuk preken interesa kombëtare dhe në këmbim ata nuk do të kërkojnë ndonjë post ministror. Gjithsesi, përfshirja në këtë grup të ri të Pashk Ujkës, ish-kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, pritet që të sjellë zhvillime brenda mazhorancës dhe qeverisë. Ujka mbështet dy zëvendësministra në kabinetin Berisha, Anton Gurakuqin dhe Zef Bushatin, të cilët kanë kërkuar largimin nga PDK-ja të Nard Ndokës dhe shkarkimin e tij nga Ministria e Shëndetësisë. Gjithsesi, është ende herët për të përcaktuar edhe ndikimin që lobi i ri do të ketë në politikën shqiptare, veçanërisht në raportet mes partive të vogla.
Gruri parlamentar “Qendra”
Paulin Sterkaj
Bukurosh Stafa
Durim Lamaj
Durim Hushi
Pashk Ujka
Flori Bajramaj
Alfred Gega