Topi: Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, të shkëlqyera
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i konsideron të shkëlqyera marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këtë vuri në dukje dje z.Topi gjatë takimit që zhvilloi me Kryetarin e Këshillit të Shtetit të Republikës së Greqisë, Georgios Panagiotopoulos, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Gjatë takimit, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë duke theksuar rolin e madh që luan shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë në zgjerimin dhe forcimin e tyre të mëtejshëm. Kreu i shtetit, duke bërë një përshkrim të reformës së ndërmarrë në gjyqësorin shqiptar për plotësimin e standardeve integruese, vuri në dukje rëndësinë e marrëdhënieve të mira mes dy institucioneve të drejtësisë, të cilat rritin nivelin e bashkëpunimit dhe ofrojnë më shumë mundësi për të marrë përvojë nga një vend jo vetëm fqinj dhe mik, por edhe anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Presidenti Topi, pasi e falënderoi Kryetarin e Këshillit të Shtetit për kontributin dhe ndihmesën e dhënë në drejtim të këtij bashkëpunimi, i kërkoi z. Panagiotopoulos t’i përcjellë përshëndetjet më të përzemërta Presidentit Papulias. Nga ana e tij, z. Panagiotopoulos, pasi falënderoi kreun e shtetit shqiptar për pritjen e rezervuar, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me palën shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e vizitave reciproke si dhe shkëmbimin e pikëpamjeve dhe përvojave gjyqësore për thellimin e fuqizimin e marrëdhënieve me interes të ndërsjellë. Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo dhe ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolas Pazios.