E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma në drejtësi, Ceka: Të përfshihemi edhe ne

  Të vegjlit e opozitës kërkojnë tryezë të përbashkët për reformën në drejtësi
TIRANË- Nisja nga diskutimi i reformës në drejtësi dhe pakti kombëtar i propozuar nga kryetari i PS-së Edi Rama pak ditë më parë kanë ngjallur pakënaqësi tek partitë e vogla të cilat e ndjejnë veten të përjashtuara nga ky proces. Kreu i Aleancës së Demokratike, Neritan Ceka thekson se ky bashkëpunim i shprehur nga dy forcat e mëdha politike duhet të përfshijë dhe partitë e tjera të vogla. Në të kundërt, sipas tij, produkti i dhënë nga këto reforma nuk do të jetë i efektshëm për ti dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së reformës në sistemin e drejtësisë dhe asaj në sistemin zgjedhor. "Shqetësimi kryesor i PAD-së është përpjekja e dy forcave kryesore politike për të anashkaluar në çdo rast peshën e partive të vogla, duke synuar gjithmonë që të arrijnë marrëveshje dy paleshe. Përvoja e gjatë ka treguar se këto pakte i kanë çuar punët prapa, kanë dalë me mungesë transparence dhe nuk kanë sjellë atë që pritej", - është shprehur kreu i PAD-së Neritan Ceka. Ndërkohë që për këtë çështje ka reaguar dje dhe Partia Demokracia Sociale, e cila megjithëse ka mbështetur rezolutën e propozuar nga socialistët për realizimin e reformave të mëdha, kërkon që më parë se të shkohet në kërkesa të tilla si ajo për të arritur një pakt kombëtar, duhet që partitë politike dhe kryesisht ato aleate të unifikojnë paraprakisht qëndrimet e tyre. Sekretari politik i kësaj force, Artur Duçkollari ka kërkuar dje mbledhjen urgjente të tryezës së koalicionit të majtë për të unifikuar një qëndrim zyrtar të përbashkët për dy reformat e mëdha. "Mbështetja pa kushte ndaj mazhorancës aktuale për kryerjen e dy reformave më të rëndësishme, pa u formatuar më parë një qëndrim i unifikuar zyrtar dhe një vendimmarrje e përbashkët politike për to, në tryezën institucionale të partive të majta në përputhje me interesat dhe vullnetin politik të elektoratit që përfaqësojnë, rrezikon zvarritjen apo dhe dështimin e këtij procesi", - u shpreh Duçkollari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›