E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e PD-së për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës

Demokratët synojnë destabilizimin e PS-së për ndërprerjen e bojkotit

Eljona Ballhysa
Deputetë të Partisë Demokratike kanë filluar takimet me deputetë të Grupit për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, me synimin e nxitjes së tyre për të thyer bojkotin. Duket se kjo është e vetmja strategji që ofron partia më e madhe në pushtet për thyerjen e bojkotit nga ana e opozitës. Megjithëse përfaqësues të prezencave ndërkombëtare janë shprehur se për bojkotin e opozitës mban përgjegjësi edhe qeveria, nga kjo e fundit nuk ka asnjë propozim konkret për rikthimin në Kuvend të Partisë Socialiste. Përveç thirrjeve publike për ftesa për bashkëpunim ndaj opozitës, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret, siç mund të jetë organizimi i një tryeze diskutimi, në mënyrë që t’i krijojë mundësinë Partisë Socialiste që t’i japë fund bojkotit.
Përçarja
Por, në mungesë të këtyre nismave publike, burimet bëjnë të ditur se skema e demokratëve për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës është nxitja e përçarjes së PS-së. Sipas burimeve, demokratët po synojnë që ta nxisin sa më shumë Grupin e deputetëve socialistë të Mendimit Ndryshe që të bëjnë presion në selinë rozë përsa i përket bojkotit. Demokratët mendojnë se presioni që do të ushtrojnë vetë deputetët socialistë do të sjellë prishjen e kompaktit që ka Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, gjë që mund të sjellë edhe rikthimin e tyre në Kuvend. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi ana tjetër është presioni publik që po ushtrojnë drejtuesit e PD-së ndaj opozitës. Drejtuesit e Kuvendit, si kryetarja Topalli, ashtu dhe nënkryetari Naço, janë shprehur se do t’i kërkojnë Komisionit Qendror Zgjedhor që të shqyrtojë vlefshmërinë e mandatit të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët ende nuk kanë bërë betimin në Kuvend, ashtu sikurse parashikohet në Rregulloren e Parlamentit. Pra, nga njëra anë PD-ja po nxit përçarjen e socialistëve dhe nga ana tjetër po u bën presion deputetëve të kësaj partie për heqjen e mandatit të deputetit, për shkak se nuk kanë bërë ende betimin në seancë parlamentare.
Propozimet
Socialistët kanë vendosur datën 20 nëntor si ditën e mbajtjes së protestës më të madhe, në vazhdën e protestave qytetare në mbarë vendin. Më 20 nëntor protesta do të zhvillohet në Tiranë, në sheshin përpara Kryeministrisë. Por kjo datë shënon edhe njëherë afatin e fundit që PS-ja ka vendosur për të negociuar me PD-në dhe për gjetjen e gjuhës së përbashkët përsa u përket kërkesave të opozitës për t’u rikthyer në Kuvend. Ndërkaq, demokratët nuk kanë ofruar asnjë propozim konkret. Drejtuesit e PD-së dhe të qeverisë kanë bërë ftesa publike për rikthimin e opozitës në Kuvend, pa ofruar asgjë konkrete. Ata shprehen se të gjitha kërkesat e PS-së do të diskutohen në Kuvend. Ndërkaq, po publikisht janë shprehur kundër pjesës më të madhe të kërkesave të PS-së. PD-ja është kundër hapjes së kutive të votimit dhe rinumërimit të votave në ato qendra votimi që kontestohen nga socialistët. Pikërisht rrëzimi i kësaj kërkese nuk lë shteg për negociata të mëtejshme mes palëve.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›