E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: Në 8-muaj hyjnë 3 milionë turistë

Shqipëria është vizituar gjatë tetë muajve të këtij viti nga rreth 3 milionë turistë. Ministri i Turizmit, Aldo Bumçi, deklaroi për median se gjatë kësaj periudhe është rritur numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar vendin tonë me 300 mijë, ose 16% më shumë se një vit më parë. Bumçi tha se rritja e numrit të vizitorëve ka ardhur si rrjedhojë e përmirësimit të cilësisë dhe shërbimit në sektorin e turizmit. Ministri Bumçi bëri të ditur se i gjithë promocioni për turizmin shqiptar tashmë do të fokusohet te lidhja me diasporën dhe trashëgimia kulturore, me qëllim që këto të kthehen në burim të ardhurash për sektorin e turizmit. Ndërsa Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hotelierëve, u shpreh dje se numri i prenotimeve në strukturat hoteliere të bëra gjatë këtij sezoni ishte rreth 20% më i ulët se një vit më parë. Sipas Topuzit, krahas përmirësimeve të bëra në infrastrukturën rrugore, por dhe hoteliere, akoma ky sektor ka mjaft probleme në standarde, legjislacion dhe mjedis. Funksionimi i strukturave hoteliere të paregjistruara, si dhe turizmi familjar janë dy aspekte që z.Topuzi i cilëson si zhvillimin e një informaliteti dhe konkurrence të pandershme, e cila po e dëmton këtë sektor. Sipas tij, aktualisht kjo pjesë zë 70% të aktiviteteve turistike në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›