Miniera e Bulqizës, Ruli: Akuzat e Tahirit, fabrikime të Ramës
Reagon Genc Ruli pas akuzave të bëra kundrejt tij prej deputetit socialist Sajmir Tahirin për abuzime me koncesionet. Sipas ministrit Ruli, të gjitha akuzat e bëra kundrejt tij janë shpifje dhe janë deklarata të krijuara në zyrën e kreut të opozitës.
Ndër të tjera, Ruli deklaroi se në periudhën që ai ka qenë në krye të Ministrisë së Ekonomisë janë realizuar një sërë investimesh, dhe kjo vërteton se gjithçka e deklaruar prej Tahirit është e pavërtetë.
“Tahiri shpifi. Ramës nuk i intereson zbardhja e të vërtetës, do të krijojë idenë që kur prokuroria të dalë me një gjykim, ai të mund të akuzojë siç bëri me Kolegjin Zgjedhor. Fjala mafie në fjalorin e opozitës është bërë shumë e shpeshtë, është një motiv politik për të denigruar qeverisjen por përbalt Shqipërinë”, u shpreh Ruli.
Kjo deklaratë e ministrit erdhi në konferencën Kombëtare të Blegtorisë, ku u diskutua për sfidat dhe nevojat e këtij sektori.