E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plus: Të liberalizohet plotësisht tregu i 3G

Drejtori i Kompanisë së telefonisë së lëvizshme Plus Comunication, Buchnik, pas shpalljes zyrtare të AMC-së si fituese e licencës së dytë të 3G, ka reaguar duke i kërkuar qeverisë shqiptare që dy licencat e tjera 3G, të jepen paralel dhe në një kohë sa më të shkurtër. “PLUS Communication insiston që liberalizimi i plotë i tregut të 3G do të ishte mënyra më e mirë për t’i ofruar konsumatorëve shqiptarëve konkurrencë të plotë dhe çmime të përballueshme për këtë shërbim. Një licencë e dytë nuk e lufton monopolin, përkundrazi thellon problematikën duke e vënë tregun në një pozitë po aq të dëmshme siç është oligopoli, si dhe duke vënë në pozitë diskriminuese operatorët e tjerë të tregut. Ne si PLUS i kërkojmë autoriteteve që licencat e tjera të 3G-së të jepen në një kohë sa më të shkurtër dhe paralel për të dy operatorët e tjerë celularë, me një çmim të arsyeshëm, një hap ky që do të liberalizonte më në fund plotësisht tregun, duke ofruar për konsumatorët maksimumin e përfitimeve.”- u shpreh Buchnik në një deklaratë për mediat. Sipas tij, PLUS ofron për klientët e tij teknologjinë 2.5G për transferimin e të dhënave/akses në internet (EDGE), që rezulton të jetë në shumicën e rasteve, i një cilësie më të lartë sesa shërbimi 3G i kufizuar në treg. “Zhvillimi i tregut të internetit/të dhënave në celular në Shqipëri mbetet një prej prioriteteve tona kryesore për të ardhmen, sigurisht duke përfshirë edhe zhvillimet në shërbimet e 3G-së. Theksoj se ne si PLUS kemi qenë mjaft konsistentë në pikëpamjen tonë që tregu duhet të liberalizohet plotësisht, pa barriera hyrëse për të gjithë operatorët celularë. Liberalizimi i plotë i tregut është zgjidhja më e mirë për klientët, që kontribuon në një treg plotësisht konkurrues, nga i cili përfitojnë konsumatorët, si për nga cilësia ashtu edhe për nga çmimet. PLUS, duke qenë operatori më i ri në treg, ka ndërtuar dhe zhvilluar tashmë teknologjinë 3G, sistemin përkatës të tarifimit sikurse ka konfiguruar të gjitha platformat për t’u ofruar klientëve në një kohë rekord pas licencimit, shërbimet e plota të 3G-së. “ – deklaroi Moni Buchnik, drejtor Ekzekutiv i PLUS Communication.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›