E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tramvaji, Basha: Tenderi nis këtë vit

SHKRUAN: Jonida Tashi 17-09-2011 13:19

Tenderi për ndërtimin e Tramvajit që do t’i japë zgjidhje çështjes së trafikut të vazhdueshëm në kryeqytet do të hapet brenda këtij viti. Deklarata është bërë nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, premtim ky i bërë nga ai gjatë fushatës në zgjedhjet e vendore të 8 Majit. Basha i ka siguarar ambasadorit të BE-së se është i vendosur për projektin e Tramit, duke u shprehur se ky projekt është vënë në lëvizje nëpërmjet përgatitjes së termave të referencës, tenderimi i të cilit nis këtë vit. Mbështetjen për këtë projekt madhor për kryeqytetin, e ka dhënë dy ditë më parë edhe përfaqësuesja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Senja Lovski, cila e ka parë me interes ndërtimin e linjës së Tramvajit në Tiranë dhe është shprehur e gatshme ta mbështesë këtë projekt.

Takimi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha diskutoi dje axhendën e përbashkët me Bashkimin Europian, gjatë një takimi që pati me ambasadorin e delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Kryetari i Bashkisë e njohu z.Sequi me prioritetet e administratës së tij që kanë të bëjnë me arritjen e standardeve europiane, për cilësinë e jetës në qytet si dhe kërkoi mbështetjen e këtyre projekteve nga Bashkimi Europian. Objektivat kryesore kanë të bëjnë me pakësimin e ndotjes së ajrit, shtimin e hapësirave të gjelbërta, përmirësimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, etj. Gjithashtu, Basha kërkoi mbështetje edhe për projektet strategjike, si ndërtimi i Bulevardit të Ri, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i Parkut të Ri të Tiranës, përmirësimi i transportit publik, linja e tramvajit, apo edhe ndërhyrja në lagjet apo komunitetet e Tiranës me synim përmirësimin e cilësisë së jetës. “Diskutuam axhendën e përbashkët me BE, axhendë e cila përshkruhet në pak fjalë, me qëllime dhe angazhime të përbashkëta dhe financime të përbashkëta në ndihmë të qytetarëve të Tiranës. Në fokusin tonë do të jetë një nga objektivat kryesore të unionit, axhenda 2020, pra më pak ndotje në atmosferë, më shumë parqe brenda viti 2020, axhendë që për Tiranën është edhe më ambicioze, pasi reduktimi i ndotjeve vjen nëpërmjet përmirësimit të trafikut, transportit publik, përmirësimit të ujësjellës- kanalizmeve, trajtimi i mbetjeve të ngurta dhe ndërtimi i parqeve të reja. Këto janë përparësitë kryesore të Bashkisë. Për këtë, ne do të kërkojmë dhe presim financim nga BE, qoftë për programe që kanë të bëjnë me komunitetin në lagjet e Tiranës, apo ato strategjike, si përpunimi i mbetjeve të ngurta, apo me vizionin e Tiranës europiane për ndërtimin e bulevardit të ri, kthimin e Lumit të Tiranës, që është sot një zonë e degraduar ekologjike, në një zonë të gjelbër me potencial të lartë zhvillimi, ndërtimin e parkut të ri të Tiranës dhe kudo ku ka hapësira publike mbrojtjen e tyre, programe që kanë të bëjnë me transportin publik, etj. Jemi të vendosur për projektin e Tramit, projekt që është vënë në lëvizje nëpërmjet përgatitjes së termave të referencës, tenderimi i të cilit nis këtë vit”, - ka deklaruar kreu i bashkisë pas takimit. Ndërsa ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e BE-së për këto projekte, ndërkohë që të dyja palët ndanë të njëjtin mendim, se Tirana është në vijën e parë të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›