E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu, të hënën nis vizitën treditore në Tiranë

Me ftesë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ditën e hënë, më 3 nëntor 2008, vjen për një vizitë zyrtare tre ditore në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu. Presidenti Sejdiu dhe delegacioni që e shoqëron, do të zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin Topi në Pallatin e Brigadave. Gjatë bisedimeve do trajtohen çështje dypalëshe të bashkëpunimit politik, ekonomik, arsimor, kulturor etj. në interes të dy vendeve tona. Presidentët Topi dhe Sejdiu do të shkëmbejnë mendime edhe për çështje të integrimit euroatlantik të dy vendeve, për bashkëpunimin rajonal si dhe për perspektivën e të ardhmes së shtetit të ri të Kosovës në nismat rajonale. Të dy presidentët do ndalen edhe në ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës për të shtuar dhe koordinuar më mirë përpjekjet dypalëshe në këtë drejtim. Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do t’u drejtohet me një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe do të ketë takime të veçanta me kryetaren e Parlamentit, znj. Jozefina Topalli dhe Kryeministrin e vendit, z. Sali Berisha. Në ditën e dytë të kësaj vizite, Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu do vizitojnë segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës që do lidhë Shqipërinë me Kosovën. Po në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do vizitojë qytetin e Shkodrës.

Zgjedhjet 2009, Ndoka bashkon 5 parti kristiane

Përfaqësuesit e 4 partive kristiane: të PDK-së, të Partisë Kristian Demokrate, të Partisë Social Kristiane dhe të Partisë së Bashkimit Demokristian do të konkurrojnë bashkë në zgjedhjet 2009. Këtë e konfirmoi dje kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i cili lajmëroi dje lëvizjen e re të bashkimit të demokristianëve për zgjedhjet e 2009-ës. “Sot jemi këtu së bashku, përfaqësuesit e katër partive kristiane, të Partisë Demokristiane të Shqipërisë, të Partisë Kristian Demokrate, të Partisë Social Kristiane dhe të Partisë së Bashkimit Demokristian për të shpallur publikisht, bashkëpunimin e të gjithë demokristianëve dhe konkurrimin së bashku në një grupim të përbashkët politik në zgjedhjet e vitit 2009”. Me këtë nismë të re, partitë politike kristiane shpresojnë t’i japin një hov të ri lëvizjes politike kristiane në Shqipëri dhe për të arritur një përfaqësim të denjë në zgjedhje. Ndoka veçoi me këtë rast faktin se ky bashkim ndryshon nga bashkimet e tjera partiake që lidhen ngushtë me pazare dhe interesa të ngushtë individualë. “Ne bashkohemi për të garantuar suksesin e një alternative, e cila është pasaporta evropiane për shqiptarët, ne bashkohemi për të dhënë kontributin tonë politik në ndërtimin e të ardhmes sonë evropiane”, - theksoi Ndoka. Kryetari i PDK-së, njëkohësisht ish-ministër i shkarkuar qeverisë “Berisha”, nuk hezitoi të sulmojë kreun e PD-së, duke lënë të kuptohet se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë asnjë pakt mes partisë së tij dhe demokratëve. “Bashkimi ynë sot i hap rrugën një bashkëpunimi më të gjerë, rigrupimit të të gjithë atij faktori politik të qendrës së djathtë, të cilët ndihen të përjashtuar nga përfaqësimi politik dhe të diskriminuar prej politikës së ndjekur nga lidershipi i Partisë Demokratike, i cili është shndërruar në një klan të majtë që konkurron përballë një klani tjetër të së majtës ekstreme”, - tha z. Nard Ndoka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›