E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i Stambollit, Berisha takon Presidentin pakistanez

Gjatë qëndrimit në Stamboll, ku zhvilloi punimet Forumi Ekonomik Botëror, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Pakistanit, Syed Makhdoom Yousaf Raza Gillani. Gjatë takimit, të dy kryeministrat rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe dëshirën e dy qeverive për intensifikimin e kontakteve në nivelet më të larta politike, si dhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe investimet e ndërsjella. Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Pakistanit, Gillani, ranë dakord të miratojnë kuadrin e plotë ligjor për bashkëpunimin ekonomik dhe garantimin e investimeve. Kryeministri Gillani u shpreh se investitorët pakistanezë kanë shprehur interes të madh për të investuar në Shqipëri në fushën e industrisë së lehtë, si në prodhimet e lëkurës, tekstile dhe në farmaceutikë. Kryeministri i Pakistanit informoi Kryeministrin Berisha se së shpejti një grup i madh investitor pakistanez do të vizitojë Shqipërinë për t`u njohur nga afër me potencialet e saj. Më tej Kryeministri Gillani vlerësoi progresin e madh që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe e falënderoi Kryeministrin Berisha për gatishmërinë që po tregon qeveria shqiptare për rihapjen e misionit diplomatik në Islamabad

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›