E Diel, 1 Nëntor 2026

Gafa e Ramës: Në zgjedhjet e 2009-ës synojmë rezultatin e 2005-ës

Pak javë më parë, anëtarët e Asamblesë së PS-së të njësisë numër 6 u bënë dëshmitarë të një deklarate shokuese të kryetarit të kësaj partie, Edi Rama. “Në 2009-ën synojmë të marrim votat e 2005-ës”, - është shprehur para anëtarëve të Asamblesë në zonën e Kombinatit të Tiranës. Por megjithëse me këto vota do të thotë humbje e zgjedhjeve, Rama ka shtuar se edhe me aq vota “do jemi mazhorancë qeverisëse”. Deklarata që i habiti të gjithë, por që askush nuk guxoi të reagonte në atë moment, ka sjellë reagime nga më të ndryshmet. Burime nga PS-ja thanë për “standard” pak kohë më parë se Rama ka zhvilluar një mbledhje me socialistë të kësaj njësie dhe në mes të fjalimit të tij, ndërsa ishte duke folur për zgjedhjet e 2009-ës, ka deklaruar se PS-ja synon votat e 2005-ës ose e thënë ndryshe, rezultatin zgjedhor që arriti ish-kryetari Fatos Nano, që përkthehet në humbje. Madje, edhe pse diferenca sot në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës është mjaft e madhe, Rama pretendon se do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve. Zhvillimi rëndësishëm mes këtyre zgjedhjeve është ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe duket se këtij fakti i referohej Rama, duke pasur dhe është fakt i kryer që me votat që PS-ja ka marrë në 2005-ën do të kishte më shumë mandate me sistemin e ri zgjedhor, por në bazë të llogarive del se përsëri PS-ja nuk ia del dot t’i përkthejë në aq mandate sa të jetë mazhorancë qeverisëse. Por përveç kësaj, Rama duket se ka vënë në diskutim dhe dyshim vetveten që në kohën kur ka marrë partinë. Së pari, kryetari i PS-së pretendon se politika e re të cilën ai përfaqëson, do sjellë vota më shumë për PS-në në vitin 2009. Njëkohësisht kur mori partinë në tetor të vitit 2005, Rama premtoi dyfishimin e anëtarësisë së partisë. E nëse kryetari i PS-së pretendon se ka pasur sukses të paktën me këto dy rrugë, atëherë mbetet të përcaktohet si një gafë ajo që “PS-ja synon rezultatin e 2005-ës në zgjedhjet e 2009-ës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›