Bumçi: Opozita vetëm shpif, ne zbatojmë vetëm ligjet
Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, u është përgjigjur dje deklaratave të nënkryetarit të grupit kuvendor të PS, Erion Braçes. Sipas Partisë Demokratike, "PS vetëm shpik dhe trillon. Fatmir Mediut do t‘i hiqet imuniteti, ndërsa për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të interpretohet Kushtetuta". Për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë, mazhoranca e djathtë parlamentare do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili interpreton në mënyrë përfundimtare këtë çështje. Duke u ndalur tek afatet që Kuvendi ka në dispozicion në shqyrtimin e dekreteve të Presidentit, deputeti Bumçi pranoi se "Parlamenti ka afate që parashikojnë kohën kur ky institucion duhet të përgjigjet, por ka edhe një vendim të Kushtetueses për këtë çështje, që është shumë i rëndësishëm". Deputeti Bumçi ka rikonfirmuar qëndrimin e mazhorancës për një hetim të plotë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me përgjegjësinë e tij në ngjarjen e 15 marsit në Gërdec.