E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rritet niveli i përqindjes për shpërdorimet e detyrës nga zyrtarët"

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka depozituar dje në Kuvend raportin mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2007. Ky raport, pas diskutimit në komisionet përkatëse, do të lexohet në sallën e Parlamentit nga vetë kreu i organit të akuzës. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, i cili ndryshe nga herët e tjera nuk është shumë voluminoz, pothuajse në të gjitha paragrafët jepen shifra dhe statistika ku vërtetohet puna e bërë nga ky institucion gjatë këtij viti. Shifra të cilat diku janë më të larta në krahasim me vitin 2006, dhe diku janë më të ulëta. Por thelbi është i njëjtë. Puna e prokurorisë ka ardhur duke u përmirësuar. Rritje në punë të institucionit të akuzës gjatë vitit 2007, sipas raportit të Kryeprokurores, ka pasur për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe që ato lidhen me veprimtarinë e kundërligjshme të punonjësve shtetërorë ose në shërbimin publik, ku janë ndjekur penalisht 663 procedime me 385 të pandehur, ose krahasuar me vitin 2006, me rritje 5 për qind të procedimeve dhe 27 për qind të të pandehurve të ndjekur. Për këto vepra, thuhet në raport, janë dërguar për gjykim 172 të pandehur dhe janë gjykuar e dënuar 62 persona. Për vepra penale të korrupsionit janë ndjekur 57 procedime, me 50 të pandehur. Janë dërguar për gjykim 22 të pandehur, prej të cilëve janë gjykuar dhe dënuar 19 persona, si dhe ndodhen për gjykim 13 persona të tjerë. Për vepra penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe për shkelje të kontributeve të dhëna nga shteti janë ndjekur penalisht 19 procedime. Për vepra penale të shpërdorimit të detyrës dhe veprime arbitrare janë ndjekur 587 procedime me 318 të pandehur. Për veprën penale kundër personit janë regjistruar 2427 procedime me 1413 të pandehur, prej të cilëve 494 të arrestuar në burg. Për veprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike janë regjistruar 7730 procedime, me 3290 të pandehur, prej të cilëve 1023 të arrestuar në burg. Për vjedhje të pasurisë janë regjistruar 4425 procedime me 1780 të pandehur. Për shkatërrim të pronës publike e private janë regjistruar 921 procedime penale. Për veprën penale në fushën e doganave janë regjistruar 344 procedime, në fushën e tatimeve janë regjistruar 101 procedime, për falsifikim dokumentesh dhe letrave me vlerat janë regjistruar 1453 procedime, për veprat penale kundër autoritetit të shtetit janë regjistruar 4180 procedime, për veprën penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit janë regjistruar 630 procedime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›