PS, ultimatum Kryeparlamentares
Socialistët i vendosën dje ultimatum Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Nënkryetari i grupit parlamentar të selisë rozë, Erion Braçe, tha se duhet shqyrtuar heqja e imunitetit të Fatmir Mediut brenda datës 9 qershor dhe të kalojnë dekretet e kreut të shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Numri dy i deputetëve socialistë vlerësoi se në 20 muaj janë 12 ligje antikushtetuese të miratuara nga Topalli. Ndërsa shprehu vlerësimin e deputetëve lidhur me seancën e fundit në Kuvend, si dhe trajtimin kriminal që Sali Berisha e Jozefina Topalli po u bëjnë çështjeve jetike. " T‘i hapet rruga hetimeve për krimin shtetëror të shekullit në Gërdec dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë", tha Braçe. Ai shprehu shqetësim për faktin se "Kuvendi i Shqipërisë është kthyer në një geto të padenjë për një vend evropian, ku nuk ka liri, liri fjale, mendimi, liri votimi të garantuar përmes fshehtësisë, rregulla të pranuara e të zbatuara të njëjta për të gjithë, nuk ka debat, konsultë me faktorë interesi, nuk ka dëgjesë e më në fund nuk ka as kontroll parlamentar", shtoi Braçe. Madje, insistoi ai, është kufizuar e drejta kushtetuese e deputetëve për iniciativë ligjore. "Përkundrazi, Kuvendi është kthyer në një shtëpi korrupsioni, ku duart e pista kanë hapur procesin ligjbërës, duke detyruar dhe ligje që vranë njerëz, ku ligjet blihen nga lloj-lloj horrash, klientë të Sali Berishës, që bëjnë para të paligjshme", theksoi Braçe. Në këndvështrimin e socialistëve, Kuvendi është kthyer në një lavatriçe të parave të lloj-lloj horrave, klientë të Sali Berishës, të cilët, përmes Parlamentit, votimeve të blera në të, po marrin të mira publike, licenca, toka pa 1 euro, të drejta biznesi, favore të paligjshme pa kufi. Opozitarët argumentojnë se Kuvendi po bllokon reformat jetike për vendin, po qëllon transparencën, po bllokon institucionet që duhet të godasin korrupsionin, po kthehet në instrumentin kyç të kapjes së shtetit. "Çdo institucioni të pavarur e enti rregullator, në ekonomi, energji, telefoni, sigurime, prokurime, administratë publike, nga militantë politikë, po kthehet në varrmihësin e pushteteve të pavarura apo në shuarjen e pavarësisë mes Presidentit, Kryeministrit, Parlamentit, gjykatave, medias", nënvizoi Braçe. Duke iu referuar Topallit, ai sqaroi se është përgjegjësia e saj standardi i dyfishtë, aplikuar direkt nga ajo për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, për anëtarë të saj, Prokurorin e Përgjithshëm, madje edhe për anëtarë të KKRT. Braçe vijoi se Berisha dhe Topalli po kryejnë krim tani, çdo ditë, që pengojnë hetimin për krimin e shekullit të shtetit në Gërdec. "Topalli nuk po dorëzon Mediun, sepse siguria e Mediut, heshtja e Mediut, dëshmia e Mediut janë jetike, pasi ai dorëzon Berishën. Është Sali Berisha autori kryesor, përfituesi direkt nga ai krim i përbindshëm familjarisht", tha Braçe.