E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI mbështet nismën për mocion

Ilir Meta u deklarua dje në mbështetje të mocionit për shkarkimin e Kryeparlamentares Topalli. "Ne duam t‘ju sigurojmë se votat tona do të jenë gjithmonë pro çdo nisme që është kundër drejtimit të Parlamentit në mënyrën si e ka drejtuar deri tani zonja Topalli", garantoi Meta. Sipas tij, kulmi i shkeljes së procedurave dhe normalitetit të Parlamentit ishte në 21 prill, në mënyrë krejt të dyshimtë dhe aspak transparente për ndryshimin e Kushtetutës. Sakaq ai shprehu dyshim nëse do të kishte sukses një iniciativë e tillë, pavarësisht se u deklarua në mbështetje të saj. "Kemi një shqetësim, sepse pas ndryshimeve kushtetuese dhe pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor me lista të mbyllura, nuk e dimë a do të kishte ndonjë deputet të mazhorancës që do të votonte kundër zonjës Topalli dhe në këtë drejtim mendoj që nuk ka shumë vend për ndonjë përgjigje optimiste", u shpreh Meta. Një tjetër pikëpyetje e tij ishte nëse pas këtij mocioni do të vazhdojë lidershipi i Partisë Socialiste të përmbyllë ndryshimet Kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor me zotin Berisha. Ai dënoi jo vetëm sjelljen e Kryetares së Kuvendit, por në veçanti edhe shantazhet e bëra nga ana e Kryeministrit Berisha ndaj Presidentit Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›