E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: PS anije pa kapiten, Rama nuk e drejton dot me dylbi

Kryetari i Partisë Demokratike dega Tiranë, Aldo Bumçi njëkohësisht dhe kandidati i kësaj partie në këtë qark, ka dhënë një prononcim për gazetënSot, menjëherë mbas mbylljes së mitingut të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit, zhvilluar dje në sheshin Skënderbej. Aldo Bumçi është shprehur se rënia e shiut gjatë hapjes së fushatës së Partisë Demokratike është një ogur i mirë që tregon se këto katër vjet të PD në pushtet kanë qenë frytdhënëse dhe se edhe në katër vitet e ardhshme do të jetë e njëjta gjë. Sipas tij bujqësia dhe politika duken që në fillim të tyre, sepse bujqësia ka nevojë që të ketë shira që të zhvillohet dhe e njëjta gjë ndodhi dhe gjatë hapjes së fushatës së Partisë Demokratike. Ku shiu tregoi që katër vitet e ardhshme do të jenë të begata për Shqipërinë dhe shqiptarët nën udhëheqjen e PD-së, dhe të liderit të saj Sali Berisha. Në lidhje me programin e kandidatëve për deputet të qarkut Tiranë, Aldo Bumçi u shpreh se nuk do të ketë asnjë lloj ndryshimi nga ajo e Partisë Demokratike. Sipas tij vetëm në disa zona të vogla të Shqipërisë kandidati i kësaj partie do të ketë dhe një program të vetin elektoral përveç atij të PD-së. Bumçi tha se një ndër pikat ku qeveria e re demokratike do të bazohet në katër vitet e ardhshme do të jetë ajo e krijimit të vendeve të reja të punës, për uljen akoma dhe më shumë të papunësisë në vend. Sipas Bumçit kjo do të arrihet vetëm duke pasur energji elektrike, sepse pa elektrifikim nuk mund të ketë kurrsesi një shtim të ri të vendeve të punës, dhe për këtë fakt qeveria Berisha ka lidhur kontrata me shumë firma, për krijimin dhe ndërtimin e 105 hidrocentraleve nga Jugu në Veri, të cilat do të sjellin dhe hapjen e shumë vendeve të reja të punës. Vetëm disa ditë më parë u ndërtua hidrocentrali i Dukagjinit i cili është 60 mega vat. Gjithashtu është në prag të përfundimit lidhja Podgoricë Elbasan e cila do të shmangte humbjet në rrjet sepse deri më sot ka pasur shumë humbje në rrjet të cilat kanë sjellë dhe mosfunksionimin e mirë të rrjetit energjetik në vend, nënvizoi Bumçi. Ndër të tjera ai theksoi, se Shqipëria do të bëhet një nga vendet më të fuqishme në rajon për eksportin e energjisë elektrike pasi Shqipëria do ti arrijë të gjitha standardet brenda katër viteve të ardhshme, dhe me ndërtimin dhe përfundimin e plotë të HEC-eve, do të jemi dhe një ndër vendet më të fuqishëm në Evropë. Në programin e elektoral të Partisë Demokratike do të bëjë pjesë dhe vazhdimi i reformave në Arsim, ku deri tani janë ndërtuar 1012 shkolla të reja, dhe se në mandatin e dytë qeverisës të PD-së dhe liderit të saj Berisha do të ndërtohen dhe1000 shkollave të reja. Jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, gjithashtu do të rritet dhe numri i pranimit të studentëve në shkollat e larta, gjatë mandatit t6ë dytë qeverisës të Partisë Demokratike do të pranohen dhe 40 mijë studentë më tepër në auditoret e Universiteteve, theksoi Bumçi. Por, testi i vërtetë i qeverisë Berisha në katër vitet e ardhshme do të jetë ai i reformave në sistemin shëndetësor dhe ai i kthimit dhe kompensimit të pronave sipas Bumçit, pasi qeveria Berisha është e vetëdijshme se gjatë këtyre katër viteve nuk ka bërë mjaftueshëm për pronat në Shqipëri, por premtoi se gjatë katër viteve të ardhshme ky problem do të jetë i zgjidhur plotësisht. Aldo Bumçi tha se në këto katër vjet ne kemi bërë identifikimin e plotë të pronave duke filluar nga tokat bujqësore dhe duke përfunduar tek pyjet dhe se jemi duke hartuar një metodikë që do ta vejmë në zbatim gjatë katër viteve të ardhshëm, dhe shpresojmë se do ta realizojmë plotësisht rikthimin dhe kompensimin e pronave. Gjithashtu Bumçi vlerësoi dhe faktin se brenda katër viteve të ardhshme qeveria Berisha do ta bëjë Shqipërinë, shtetin me barrën fiskale më të vogël në Evropë. Duke folur për kundërshtarin e Partisë Demokratike Bumçi tha, se nuk mund të ketë kurrsesi krahasime ndërmjet këtyre dy forcave politike. Partia Demokratike është një anije e madhe dhe që kapiteni i saj është brenda kësaj anije, dhe që do ta çojë këtë anije dhe ekuipazhin e vet drejt fitores , ndërsa Partia Socialiste është një anije pa një kapiten të vërtetë, sepse kapiteni i saj ka vendosur që ta drejtojë ekuipazhin e vet nga toka, dhe kjo anije do të fundoset në det, sepse kapiteni i saj nuk mund ta bëjë kurrsesi drejtimin e anijes së tij me dylbi, ka përfunduar prononcimin e tij Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›