E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: “Për të përndjekurit nuk është bërë sa duhet”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ish-të përndjekurit politikë nga i gjithë vendi protestuan në mënyrë paqësore përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", në Tiranë, duke kërkuar dënimin e kriminelëve të kohës së diktaturës. Me parrulla ku shkruhej dënimi i krimeve të komunizmit, të përndjekurit kërkuan hapjen e të gjitha dosjeve të kriminelëve të kohës së diktaturës më të egër në histori mbas Luftës së Dytë Botërore. Shumë prej tyre mbanin në duar foto të viktimave të komunizmit, të dënuar në burgjet e diktaturës në Shqipëri. Të përndjekurit politikë kishin zgjedhur këtë protestë, në ditën e 100- vjetorit të lindjes së diktatorit komunist, Enver Hoxha, dhe kërkuan dënimin njëzëri nga të gjithë, të krejt politikës së ndjekur prej tij, gjatë viteve të diktaturës. Më pas, ish- të përndjekurit i janë drejtuar selisë së Kuvendit të Shqipërisë, ku kanë vijuar protestën e tyre përreth 2 orë. Ata kanë kërkuar që deputetët e djathtë, kryesisht, dhe të gjithë në përgjithësi, të dalin nga seanca plenare dhe t u bashohen kërkesave të tyre, kërkesa të cilat kanë qenë: dënimi i krimeve të komunizmit, hapja e dosjeve të ish- të implikuarve në sistemin e Hoxhës, dëmshpërblimi për vrasjet, burgun dhe internimin si dhe heqjen nga Parlamenti të atyre deputetëve që kanë qenë pjesëtarë të sistemit të vjetër komunist. Përreth një orë e gjysmë, ish-të përndjekurit kanë hedhur parulla të ndryshme kundër Qeverisë, kryeministrit Berisha dhe deputetëve të ndryshëm, të implikuar, sipas tyre, me sistemin e vjetër. Situata është ashpërsuar edhe më shumë në momentin që kryeministri Berisha do të largohej nga salla e Parlamentit duke u detyruar të devijojë makinën dhe të dalë nga hyrja nga ana e Partisë Demokratike dhe jo nga hyrja kryesore e Kuvendit. Ata kanë akuzuar Kryeministrin se është ai që u ka vjedhur pronat e tyre, si dhe e kanë etiketuar si “kryekomunistin e Parlamentit”, madje janë zotuar se nuk do të votojnë më as PD-në dhe as vetë Berishën në zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës.

Takimi me deputetët e PD-së

Ish-të përndjekurit përreth dy orë kanë kërkuar me ngulm që të bëjnë një takim me deputetët e djathtë duke u bërë thirrje atyre të braktisin sallën për të dëgjuar pretendimet e tyre. Pas rreth një orë e gjysmë, deputeti Bujar Leskaj ka marrë një kontakt me ta dhe më pas ka kontaktuar në telefon me kryetarin e Grupit Parlamentar të partisë së tij, Patozi, i cili ka ardhur në ambientet e Kuvendit ku ka biseduar me deputetët e PD-së, Leskaj, Biberaj, Paloka. Patozi i është përgjigjur kërkesës së deputetit të Vlorës, Leskaj, për të marrë leje me qëllim takimin e ish-të përndjekurve duke i thënë: “Lëri se do të lodhen dhe do të ikin vetë” dhe më pas është futur sërisht në seancën plenare. Të tre deputetët bashkë me zëdhësin e Grupit Parlamentar të PD-së, ish-ministrin Aldo Bumçi, kanë shkuar drejt turmës së protestuesve për t i takuar dhe dëgjuar. Protestuesit i janë drejtuar me tone të ashpra fillimisht deputetit Bumçi dhe më pas Aleksandër Biberajt, duke u thënë se nuk është bërë asgjë për ta dhe po tallen vazhdimisht me këtë çështje, edhe pse PD-ja ka tre vjet e gjysmë në pushtet. Kanë premtuar se ata dhe familjet e tyre dhe e gjithë shtresa e të përndjekurve nuk kanë për të votuar më kurrë Sali Berishën dhe PD-në, madje, edhe vetë deputetët që kontaktuan me ta. Pas disa sqarimeve dhe premtimeve, kryesisht vetjake, deputetët në fjalë janë larguar nga turma e protestuesve, duke u premtuar se do të miratohet në Parlament hapja e dosjeve, dënimi i krimeve të komunizmit si dhe një zë i veçantë për ta në buxhetin e shtetit për t i shpërblyer.

Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›