E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria të përshpejtojë procesin e kthimit të pronës”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Raporti i OSBE-së

“Duhet ndërmarrë edhe një vlerësim mbi aftësinë e shtetit për të kompensuar ish-pronarët me të holla, pasi, si ish-pronarët ashtu edhe Qeveria, e kuptojnë se shteti nuk zotëron fonde të mjaftueshme për të kompensuar 100% të vlerës së drejtë të tregut të sotëm si kompensim për shpronësimet”

“Prokuroria e Përgjithshme duhet të vijojë hetimet pa ndërhyrjen e politikës. Sa i përket sigurisë së zonës, bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje që perimetri i sigurisë prej 800 metrash përreth zonës së shpërthimit të respektohet si zonë e ndaluar

“Raporti i prezencës së OSBE-së në Shqipëri vlerëson si arritje marrëveshjen e arritur mes dy partive më të mëdha të vendit, PD e PS, për programin e reformave. Konsensusi ndërpartiak ka lidhje me ftesën që Shqipëria mori në samitin e Bukureshtit për t u anëtarësuar në NATO”

OSBE kritikon Qeverinë për mungesën e një zgjidhjeje përfundimtare të çështjes së pronave. Madje, OSBE në raportin e publikuar dje, nga kreu i saj në Shqipëri, ambasadori Robert Bosh, ka theksuar se boshllëqet në skemën ligjore që rregullon procesin e regjistrimit të parë të pronës kanë penguar një qasje strategjike për të rregulluar statusin e pronave në Kodin Civil në mënyrë që Sistemi i Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme (SRPP) të mund të lëshojë tituj pronësie të garantuar. Po kështu, OSBE shprehet se duhet bërë më shumë për të rritur transparencën dhe duhet përshpejtuar procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave. Raporti i publikuar dje nga OSBE nuk kursen kritikat as për një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme si përplasjet me Prokurorinë, Reformën Zgjedhore apo ligjin e medias. Ndërkohë që ka vlerësuar rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe miratimin e ligjit për Policinë e Shtetit. Aty theksohet fort se vazhdimi i konsensusit politik mes aktorëve kryesorë në Shqipëri do të jetë parakushti për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Përveç kësaj, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, sipas OSBE-së, do të jenë testi kryesor për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe konform rregullave të demokracisë.
Pronat
“Për sa i përket vetë reformës së pronave, çështjet e pazgjidhura të pronës kanë penguar përpjekjet për të zhvilluar një treg trojesh funksional dhe kanë frenuar investitorët e huaj”, - thuhet në raport. Aty theksohet se boshllëqet në skemën ligjore që rregullon procesin e regjistrimit të parë të pronës kanë penguar një qasje strategjike për të rregulluar statusin e pronave në Kodin Civil në mënyrë që Sistemi i Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme (SRPP) të mund të lëshojë tituj pronësie të garantuar. Në lidhje me procesin e kthimit dhe kompensimit, mund të bëhet më shumë për të rritur transparencën dhe për të përshpejtuar më tej procesin. Duhet kryer një vlerësim i kërkesave në pritje të paraqitura pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) dhe procedurat zbatuese duhen përmirësuar për të rritur efikasitetin. Duhet ndërmarrë edhe një vlerësim mbi aftësinë e shtetit për të kompensuar ish-pronarët me të holla, pasi si ish-pronarët ashtu edhe Qeveria, e kuptojnë se shteti nuk zotëron fonde të mjaftueshme për të kompensuar 100% të Vlerës së Drejtë të Tregut të sotëm si
kompensim për shpronësimet.
Investimet e huaja
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosh, paraqiti dje përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, raportin e radhës për Shqipërinë. OSBE vlerëson rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe beson se adoptimi i taksës së sheshtë dhe sistemi i regjistrimit të bizneseve në one-stop-shop, ndërthurur me veprimin dinamik për të formalizuar tregun e zi, ka sjellë përfitime përmes rritjes së nivelit të mbledhjes së taksave dhe rritjes së investimeve të huaja. Raporti përmend renditjen e Bankës Botërore ku Shqipëria pozicionohet në pozita të barabarta me vendet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore. Por prezenca e OSBE vë në dukje se potenciali për tregti dhe investim të huaj është ndrydhur. “Shtrirja ekonomike dhe modelet shoqëruese të migrimit vazhdojnë të ndikojnë në ekuilibrin mes rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Potenciali për tregti dhe investim të huaj gjithashtu është ndrydhur nga shqetësimet që rrjedhin nga siguria ligjore dhe fizike e pronës, korrupsioni dhe çmimet e larta të operimit”, - shkruhet në raportin e OSBE-së.
Ligji për spiunët
Prezenca e OSBE thotë se po ndjek me vëmendje procesin e shqyrtimit të legjislacionit për ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist dhe shpreson që të arrihet një “zgjidhje e kënaqshme dhe e qëndrueshme për këtë çështje në të ardhmen e afërt.”
Gërdeci
Duke iu referuar tragjedisë së Gërdecit, ku nga shpërthimi i depove mbetën të vrarë 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë si dhe u shkatërruan edhe mijëra shtëpi, OSBE i bën thirrje politikës të mos ndërhyjë në hetimin e çështjes. “Prokuroria e Përgjithshme duhet të vijojë hetimet pa ndërhyrjen e politikës”. Sa i përket sigurisë së zonës, bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje që perimetri i sigurisë prej 800 metrash përreth zonës së shpërthimit të respektohet si zonë e ndaluar, për aq kohë sa të certifikohet si zonë e sigurt nga ekspertë të huaj të pavarur.
Policia e Shtetit
OSBE vlerëson si arritje më të madhe të qeverisë miratimin e ligjit për Policinë e Shtetit, por thekson se “ka pasur shumë raste, sidomos në fushën e emërimeve dhe largimeve, ku vendimet janë marrë nga instanca të larta politike”. Në luftën kundër korrupsionit, OSBE vëren se, megjithëse një numër zyrtarësh të nivelit të mesëm u ndoqën penalisht, “zyrtarë të lartë publikë dhe grupe kryesore të krimit të organizuar mbeten ende në gjendje të lirë”. Në raport thuhet se mbetet problem rotacioni i konsiderueshëm për shkak të përkatësisë partiake në administatën publike. “Megjithëse një numër i madh i të larguarve janë ankuar me sukses pranë Komisionit të Shërbimit Civil dhe më pas i kanë fituar çështjet e tyre në Gjykatën e Apelit, vetëm një numër i vogël rastesh njihen ku individët janë kthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës.” OSBE vlerëson si jotransparente largimin nga detyra në radhët e policisë për të cilët donatorët e huaj kanë shpenzuar shumë para për t i trajnuar dhe janë zëvendësuar me të rinj, të cilët më pas duhet të trajnohen nga e para.
Media
OSBE vëren se projektligji për transmetimet radiotelevizive nuk ofron garanci të mjaftueshme dhe ka ende një mungesë përparimi në hartimin e një strategjie dixhitale të konsultuar gjerë. “Kjo situatë bie në kundërshti me Planin e Veprimit, të adoptuar në vitin 2007 me Komisionin Evropian dhe Këshillin e Evropës (KE), i cili parashikon miratimin e një ligji të ri për transmetimet përmes një procesi transparent”. KKRT-ja vazhdon të kritikohet për vendimet e saj të dukshme jotransparente të licencimit dhe për mungesën e pavarësisë së saj.
Barazia gjinore
Mbetet shumë për të bërë për barazinë gjinore. OSBE thotë se mbetet optimiste në projektpropozimin për një kuotë gjinore prej 30%. “Mbetet për t u parë nëse ky propozim, në formën e tij aktuale, do të konvertohet konkretisht në më shumë mandate parlamentare për gratë”, – vazhdon raporti.
Partitë
Raporti i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri vlerëson si arritje marrëveshjen mes dy partive më të mëdha të vendit, PD e PS, për programin e reformave. Sipas OSBE-së, konsensusi ndërpartiak ka lidhje me ftesën që Shqipëria mori në samitin e Bukureshtit për t u anëtarësuar në NATO. “Kjo ngjarje ishte gjithashtu faktori parësor për të shpjeguar përse partitë kryesore politike filluan të zhvillonin një konsensus ndërpartiak për çështjet kryesore strategjike, gjë që nga ana tjetër pati një ndikim pozitiv në procesin e reformave”. OSBE shton se Prezenca ka vazhduar të ofrojë mbështejten e saj për të gjitha veprimtaritë që janë në përputhje me mandatin e Prezencës, duke vendosur kontakte me aktorët vendorë, rajonalë dhe qeveritarë, duke u ofruar atyre këshillim dhe kontakte të mëtejshme dhe duke zbatuar elementet vendore të projekteve më të gjera. Ajo thekson mbështetjen që i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë për reformën në këtë sektor, ndër të cilat është dhe promovimi i dënimeve alternative ndaj burgimit.

Kritika
Politika po zvarrit Reformën Zgjedhore

OSBE kritikon politikën shqiptare dhe për sa i përket procesit të Reformës Zgjedhore. Edhe pse vë re përparimin e saj në vitet e fundit, ajo thekson zvarritjen e Kodit Zgjedhor. “Reforma Zgjedhore u zhvillua në mënyrë tejet të zvarritur nga shtatori 2007 deri në prill 2008. Megjithëse aktorët kyç kanë shpallur në mënyrë të përsëritur vullnetin e tyre politik për të rënë dakord për një Kod Zgjedhor brenda korrikut 2008, deri më sot procesi ka vazhduar i ngadaltë në pritje të miratimit përfundimtar nga ana e Kuvendit në tetor”, - thuhet në raporti. OSBE këshillon se duhet kërkuar konsensusi më i gjerë i mundshëm dhe paketa për të cilën do të bihet përfundimisht dakord duhet të lejojë kohë të mjaftueshme për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve. Lidhur me ndryshimet kushtetuese, të miratuara në prill 2008 nga Kuvendi, Prezenca e OSBE-së vlerëson se, megjithëse amendamentet u miratuan në mënyrë legjitime me një shumicë tri të pestat, disa nga këto ndryshime shkaktuan shqetësime në lidhje me ndarjen e pushteteve.

Reforma në Drejtësi
Projektligjet e Qeverisë forcojnë kontrollin mbi gjyqësorin

Ndërkombëtarët, të cilët vazhdojnë të monitorojnë rregullisht Shqipërinë, nuk kanë kursyer kritikat e ashpra për reformën në gjyqësor. Pas deklaratave kritikuese nga ambasadorët e BE-së, por dhe nga ambasada amerikane, një tjetër kritikë i shtohet Qeverisë. Raporti i publikuar dje nga OSBE vëren se dy projektligjet, ai për Prokurorinë dhe për Administratën Gjyqësore, nuk luftojnë korrupsionin por shtojnë kontrollin e Ekzekutivit mbi gjyqësorin dhe për këtë me sugjerimin e ndërkombëtarëve ka nisur konsultimet. “Dy projektligjet, të cilat synojnë të luftojnë korrupsionin brenda gjyqësorit, duket se forcojnë kontrollin e Ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke ngritur pyetje mbi ndarjen e pushteteve dhe ato nuk u diskutuan si duhet me aktorët kyç, përpara se të paraqiteshin zyrtarisht. Po kështu, dhe projektligjet për Profesionin e Avokatit dhe Noterit, Gjykatat Administrative dhe Shërbimin e Përmbarimit, që kanë për qëllim përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së, OSBE vëren se nuk i janë nënshtruar procesit të konsultimit publik. “Megjithëse është ende herët për të komentuar mbi hollësitë e këtyre ligjeve, mund të vërehet se ato u miratuan ose pa iu nënshtruar një procesi të plotë konsultimi publik, ose duke shpërfillur komentet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare”, - thuhet në raport.

Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›