E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumçi: Prokuroria, e pavarur nga PD, por jo nga opozita e kreu i saj

 

Partia Demokratike sulmon ashpër kryeprokuroren Ina Rama, duke e akuzuar atë për hetimin e nisur për rrugën Durrës-Kukës. Zëdhënësi i grupit të PD-së, Aldo Bumçi, në deklaratën e tij në Kuvend ka qenë tepër i ashpër, duke u shprehur se në emër të mazhorancës, se “nëse fara e keqe rifutet serish, ajo mund të hiqet sërish”. Ky ka qenë paralajmërimi i deputetit të PD-së, i cili përfaqëson zërin e maxhorancës në Kuvend. “Prokuroria është e pavarur nga maxhoranca dhe qeveria, por nuk është e pavarur nga segmente të tjera, si opozita dhe kryetari i saj. Çdo akt për ndërtimin e rrugës është një vendim kolektiv i qeverisë. Maxhoranca është për hetimin e rrugës dhe shtetin ligjor, por ne nuk mund të mbajmë gojën mbyllur kur shikojmë se si Prokuroria është kthyer në një instrument politik”, deklaroi Bumçi. Ai theksoi se ka kaluar faza kur institucionet e drejtësisë përdoreshin politikisht. Sipas tij, “Gjykata Kushtetuese ka kthyer në këto tre vjet më shumë ligje se sa ka kthyer në tetë vite, që është shenjë e pavarësisë dhe jo e kontrollit ndaj institucioneve”. Bumçi iu drejtua socialistëve më pas se “pyetja që bëhet nga çdo shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që jetojnë, pse nuk e ndërtuat rrugën? Pse nuk kishit vullnet ta ndërtonit? Interesat e kujt i shërbenin ato? Për çdo vit që rruga nuk ndërtohet ekonomia jonë humb 80 milionë lekë euro”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›