Ligjshmëria e mandatit të Barak Obamës varet nga Gjykata Supreme
Gjykata Supreme amerikane do të vendose sot nëse do të marrë në shqyrtim një sfidë të kërkuar kundër presidentit të zgjedhur, Barak Obama mbi vërtetësinë e nënshtetësisë së tij amerikane, vazhdim i një çështjeje të hapur në Nju Xhersi nga disa kundërshtarë të zgjedhjes së tij. Ekspertë ligjorë mendojnë se kjo çështje është vetëm maja e ajsbergut krahasuar me përpjekjet mbarëkombëtare, që përpiqen të devijojnë zgjedhjen e Obamës, me akuza të tilla se ai as nuk është qytetar amerikan i lindur pasi ka lindur në Kenia, apo se më vonë ka hequr dorë nga nënshtetësia e tij në Indonezi. Diskutimi i kësaj çështjeje nuk po bëhet këto ditë për herë të parë. Ky problem është hapur që gjatë fushatës elektorale. Madje, ka pasur grupe që i kanë kërkuar Kongresit të demokratëve, që të mos emërojnë Barak Obamën si president, pasi ai ka një certifikatë të rreme lindjeje. Kongresi demokrat i ka refuzuar aludime të tilla. Edhe autoritetet në Havai, ku ka lindur Obama, konfirmojnë se certifikata e tij e lindjes është shumë e rregullt dhe lindja e tij në këtë vend konfirmohet edhe nga regjistri i të dhënave mjekësore të fëmijëve. Ekipi i Obamës gjatë fushatës ka këmbëngulur, se Obama ka lindur në Havai, ka një certifikatë origjinale lindjeje dhe është qytetar amerikan "i lindur natyrshëm". Mes atyre që kanë ngritur çështje të tilla kundër Obamës është Alan Keyes, i cili humbi zgjedhjet e vitit 2004 ku konkurronte kundër Obamës për senator të Illinoisit. Një tjetër njeri në Kentaki ka kërkuar një juri federale për të vërtetuar origjinalitetin e certifikatës së lindjes së Obamës, që tani është kyçur në dokumentacionin shtetëror të Havait. Në Havai janë kërkuar edhe për çështje të tjera kundër Obamës që hapnin dyshime mbi vërtetësinë e lindjes së tij në këtë shtet. Një tjetër padi është bërë në Pensilvani në gusht në emër të Philip J. Berg, i cili ishte personi që i kërkoi komitetit të demokratëve të mos e emëronin Obamën. Në atë kohë Gjykata Supreme e SHBA refuzoi të merrej me këtë çështje.