Prokuroria kërkon Bashën nën akuzë
Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e Proku-rorisë së Përgjithshme për shpalljen e moskompetencës në gjy-kimin e padisë së ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Një vendim i tillë i gjyqtares Fatmira Hajdari u bë shkak për reagimin e prokurorit, që kërkoi menjëherë përjashtimin e saj nga shqyrtimi i çështjes. Por reagimi i Prokurorisë shkon më tej, pasi mësohet se ditën e djeshme, në adresë të ministrit të Jashtëm, Basha dhe avokatit të tij është dërguar një tjetër kërkesë për t’u paraqitur në organin e akuzës. Ministrit dhe mbrojtësit të tij ligjor, u është kërkuar që ditën e sotme në orën 11:30 të paraqiten në Prokurorinë e Përgjithshme, në mënyrë që Lulzim Basha të njihet me përfundimin e hetimeve, nisjen e fashikullit në gjykatë dhe përmbajtjen e dosjes penale me provat kundër tij. Organi i akuzës tha se, nëse edhe Basha dhe avokati i tij refuzojnë të paraqiten apo të firmosin aktet e Prokurorisë, atëherë fashikulli i dosjes do t’u dërgohet me postë, ndërsa procedimi penal do të dërgohet në gjykatë për shqyrtim gjyqësor. Nëse edhe avokatët dhe të pandehurit refuzojnë edhe paraqitjen në Gjykatë, atëherë Prokuroria tha se do të kërkojë caktimin e avokatëve kryesisht dhe vazhdimin e gjykimit. Avokati i Bashës parimisht është shprehur se do të paraqitet sot në Prokurori, ndërsa për ministrin Basha është e pamundur, pasi ai ndodhet jashtë vendit deri më 7 dhjetor 2008.
Gjykata kundër Prokurorisë
Seanca e djeshme filloi me debate të ashpra midis prokurorit të çështjes, Arben Kraja dhe avokatit Zef Nikaj, që mbron ministrin Basha. Gjykatësja Fatmira Hajdari u bëri me dije palëve se objekt i këtij gjykimi ishte kërkesa e ministrit Basha për shpalljen si të pavlefshëm të dy akteve procedurale të Prokurorisë në dosjen “Durrës–Kukës”. Nëpërmjet avokatit, Basha kërkon të shpallen të pavlefshme fletëthirrja e Prokurorisë për paraqitjen e ministrit në organin qendror të akuzës, e cila mban datën 24 nëntor 2008 dhe fletëthirrja e datës 27 nëntor 2008, ora 16:00, po për t’u paraqitur në këtë institucion ku do t’i komunikohej akuza. Argumenti i paraqitur nga ministri për pavlefshmërinë e këtyre dokumenteve ishte fakti, që me një vendim të mëparshëm, Gjykata e Tiranës ka vendosur mbylljen e hetimeve për këtë çështje që më datë 6 nëntor 2008. Po kështu gjykata njohu palët edhe me një dokument tjetër, i cili i ishte dorëzuar gjyqtares Hajdari në orën 16:00 të së mërkurës, të cilën e kishte paraqitur prokurori me objekt rrëzimin e kërkesës së ministrit dhe shpalljen e moskompetencës në trajtimin e kësaj çështjeje.
Debati në gjykatë
Menjëherë sapo iu dha fjala, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatëses Fatmira Hajdari të shpallë moskompetencën për gjykimin e kërkesës së ministrit Basha. Sipas prokurorit, për shkak se Basha mban postin e ministrit të Jashtëm, ndërsa është akuzuar gjatë kohës që ka pasur postin e ministrit të Transporteve, kompetente për shqyrtimin e kërkesës ishte Gjykata e Lartë. Më tej prokurori tha se, nëse do vendosej se çështja të gjykohet në Shkallën e Parë, atëherë kompetenca e gjykimit duhej t’i jepej gjykatësit Sokol Tona, i cili shqyrtoi më 18 nëntor 2008 kërkesën e dy të bashkëhetuarve me Bashën, Andi Toma dhe Armand Teliti. Sipas prokurorit duhej vepruar në këtë mënyrë, pasi ligji parashikon se vetëm një gjykatës kryen të gjitha veprimet procedurale gjatë hetimit. Duke kërkuar rrëzimin e kërkesës paraprake të prokurorit, avokati i Bashës tha se në këtë rast nuk bëhej fjalë për veprime hetimore, por akte procedurale të akuzës. Dhe si e tillë, sipas avokatit, kompetenca në gjykimin e çështjes i përkiste Gjykatës së Tiranës. t.s./f.m
Prokuroria: Të përjashtohet Fatmira Hajdari
TIRANE - Pasi administroi kërkesat e palëve, gjyqtarja Fatmira Hajdari u tërhoq në dhomën e këshillimit për formulimin e vendimit. Rreth 30 minuta më vonë ajo u kthye në sallë dhe shpalli vendimin, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë. Gjykatësja Fatmira Hajdari deklaroi se Gjykata e Tiranës është kompetente, duke argumentuar se objekt i këtij gjykimi ishte një kërkesë e thjeshtë, një akt procedural dhe jo vepër penale. Në këtë moment prokurori i çështjes Arben Kraja, kërkoi përjashtimin e gjykatëses Hajdari nga kjo çështje, duke e akuzuar atë për njëanshmëri. Kjo kërkesë e papritur solli reagimin e ashpër të gjykatëses, e cila këmbënguli derisa prokurori lexoi bazën ligjore të kërkesës së tij. Përfaqësuesi i akuzës tha më pas se brenda tri ditësh një gjyqtar tjetër duhet të dilte me vendim për përjashtimin e gjykatëses së çështjes. Kjo u bë shkak që të mos zhvillohej procesi, ndërsa nuk u përcaktua koha e mbajtjes së seancës së radhës për këtë çështje.
Andi Toma, ish-drejtori Juridik i Bashës, refuzon të firmosë dosjen
TIRANE – Ish-shefi i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Transporteve, Andi Toma, refuzoi dje paraqitjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai ishte thirrur rreth orës 09:30 për t’u njohur me përfundimin e hetimeve të dosjes “Durrës-Kukës” si dhe me përmbajtjen e saj, në cilësinë e të pandehurit për “shpërdorim detyre” në këtë procedim penal. Rreth orës 09:40, avokati i Andi Tomës, Genc Gjokutaj, u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe depozitoi një “memorie” te protokolli i organit të akuzës, duke i adresuar shkresën prokurorit të dosjes “Durrës-Kukës”. Thelbi i shkresës në fjalë, sipas burimeve, mësohet se ka qenë deklarimi i qëndrimit të Andi Tomës, se ai nuk merr pjesë në kryerjen e veprimeve procedurale, të cilat po zhvillohen jashtë afatit hetimor që është ndërprerë me vendimin nr. 1495, datë 18 nëntor 2008 të Gjykatës së Tiranës. “Siç jam njoftuar nga ana juaj telefonikisht më datë 2 dhjetor 2008, sot më datë 4 dhjetor 2008, në orën 12:00, jam i ftuar në cilësinë e mbrojtësit të të pandehurit Andi Toma për t’u njohur me materialet e procedimit penal nr. 1 të vitit 2007. Në lidhje me sa më sipër dhe në funksion të respektimit të ligjit procedural penal, ju bëjmë me dije qëndrimin tonë, i cili konsiston në mospjesëmarrjen në kryerjen e veprimeve procedurale jashtë afatit hetimor të ndërprerë me vendimin nr. 1495, datë 18 nëntor 2008, të Gjykatës së Rrethit Tiranë. Duke ju garantuar bashkëpunimin tonë në çdo rast eventual të rivendosjes së gjendjes së një procesi të rregullt ligjor, ju falënderojmë”, thuhet në memorien që avokati i Andi Tomës dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë daljes nga organi i akuzës, avokati Gjokutaj tha se, “ky ishte divorci përfundimtar me procedurat e paligjshme që po ndjek Prokuroria ndaj klientit të tij”. Ish-shefi i Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Transporteve, Andi Toma, akuzohet se bashkë me Lulzim Bashën ka shpërdoruar detyrën në procedurat e ndjekura për ndërtimin dhe financimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. tr.so