E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Sherri në PD po prek institucionet

 

BLEDAR HOTI

Socialistët akuzuan demokratët se krizën brenda PD-së po e kthejnë në atë institucionale. Përplasjen institucionale të qeverisë me organin e akuzës, nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe e lidhi vetëm me hetimin që po bëhet i ministrit Lulzim Basha. Braçe theksoi se sulmi i qeverisë për këtë hetim po prek edhe kreun e shtetit, Bamir Topin. “Për sulmin ndaj presidentit, ne ndiejmë keqardhje jo për personat që u përfshinë në të, por për krizën permanente të grupit të Sali Berishës në pushtet dhe institucionit të presidentit, duke transferuar sherrin banal primitiv brenda PD, në nivelin më të lartë të shtetit. Sulmuan prokurorinë dhe prokuroren, sulm për të cilin ndiejmë keqardhje për shkak të krizës permanente, sepse ju e doni korrupsionin, e mbroni korrupsionin, e keni në qeverisje korrupsionin, të cilin nuk e drejton një maxhorancë e tërë, por vetëm një familje”, deklaroi Braçe. Gjithashtu ai bëri të ditur se PS nuk ka lidhje fare me insinuatat që ngre PD-ja për implikim me Prokurorinë e Përgjithshme. “Sulmuat PS, me shpresën për ta përfshirë në betejën për ta kthyer një çështje ordinere abuzimi, shkelje ligji, përfitimi në përmasa të mëdha korrupsioni në një çështje politike. Zotërinj, akuza është penale dhe jo politike, e ngritur nga institucione kushtetuese, bazuar në ligj dhe kushtetutën e vendit dhe jo nga partitë politike”. Ndërsa ka theksuar se akuzat janë ngritur nga prokuroria dhe KLSH. “Rekomandimet e KLSH-së nuk u morën parasysh dhe ka ndodhur ajo që u thashë në seancën që shkoi, që kemi një rrugë 53 km nga Tirana në Durrës, të gërmuara 8 kate pallati dhe me gjerësi 21 metër”, theksoi Braçe. Këtyre qëndrimeve iu është kundërpërgjigjur Ministri i Transportit, Olldashi, i cili deklaroi se të gjitha tenderimet janë kryer me procedura të rregullta dhe transparente. “Ju po spekuloni prej kohësh në lidhje me procedurat e ndjekura. Procedura e tenderimit ka qenë e hapur. Është një kontratë e ndjekur mbi model që po zbatojnë të gjitha vendet e tjera. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion që dikur ju bënte qepaze dhe e bënit qepaze. Raporti KLSH nuk ka të bëjë me koston, as me vetë rrugën”, theksoi Olldashi. Ministri i Transportit ftoi Braçen që ta vizitonte rrugën dhe të ndiqte nga afër punimet. “Rruga nuk është 53 km gjithsej, por është 60 km, ka 6 km tunel në dy anët dhe ka 4.5 km ura lidhëse, të cilat s’mund ta kenë çmimin si në procedurat e tjera në rrugë normale që ndërtohen. Normale që do të kenë çmim të lartë. Jo më larg se në seancën e kaluar, ju kam sjellë punimet me statistikat për rrugët e kryera në vendet e tjera. Çmimi i një kilometri nuk varet nga formula kubike e matjes së gjatësisë, por varet nga pozicioni ku do të ndërtohet rruga”, deklaroi Olldashi.

Deklaratat e Braçes

KLSH ka bërë publik raportin që arrin në konkluzionin, se nga mënyra se si është hartuar kontrata, jo vetëm që do të rrisë koston, por edhe abuzimin.

Kemi një rrugë 53 km nga Tirana në Durrës, të gërmuara 8 kate pallati dhe me gjerësi 21 m.

Raporti i KLSH, në fq 141, ku kryetari ka bërë një sugjerim me vlerë që në janar të 2008, kur ishin paguar vetëm 180 mln euro, dhe vlera nuk kishte shkuar 500 mln euro.

Deklaratat e olldashit

Ju si PS po spekuloni prej kohësh në lidhje me procedurat e ndjekura.

Procedura e tenderimit ka qenë e hapur. Është një kontratë e ndjekur mbi model që po zbatojnë të gjitha vendet e tjera.

Rruga nuk është 53 km gjithsej, por është 60 km, ka 6 km tunel në dy anët dhe ka 4.5 km ura lidhëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›