E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Topi iu theu hundët injorantëve të PS-së dhe PD-së që shkelën Kushtetutën

 

Aristir Lumezi

Avokati i njohur i Parlamentit shqiptar, Spartak Ngjela, në një intervistë ekskluzive për gazetën "Panorama", përgëzon kreun e shtetit, Presidentin Bamir Topi, i cili, sipas tij, po respekton dhe mbron Kushtetutën. Ai shprehet se kthimi i Kodit në Kuvend nuk është bërë për çështje teknike, por për një kontradiksion të brendshëm, i cili kërkon zgjidhje. Ngjela akuzon dy partitë kryesore, PS-PD, se me vrullin e marrë për të monopolizuar gjithçka nuk janë frenuar edhe përpara Kushtetutës, duke dashur ta shkelin atë. Sipas tij, përgjegjës për miratimin e Kodit, i cili sillte këtë përplasje procedurale, janë hartuesit e tij, dy partitë kryesore, të cilët e shpërndanë Kodin vetëm ditën e seancës, pa respektuar afatet që përcakton rregullorja e Kuvendit për t'u njohur dhe diskutuar rreth ndryshimeve të tij. 
Zoti Ngjela, në këto dy ditë, kthimi i Kodit Zgjedhor sërish në Kuvend nga ana e Presidentit të Republikës është trajtuar në shumicën e rasteve si çështje teknike. Cili është mendimi juaj për arsyet e këtij mosdekretimi?
Më vjen keq që dhe media ka rënë këto ditë pre e injorancës që drejton Shqipërinë. Nuk ka çështje teknike në një demokraci procedurale parlamentare, ku gjithçka është e lidhur me Kushtetutën. Dekreti i Presidentit kthen ligjin me motivacionin se ka kontradiksion të brendshëm, midis afatit paraprak për të cilin Presidenti shpall datën e zgjedhjeve dhe kërkesës kushtetuese për të mbajtur zgjedhjet nga marsi në qershor. Ku ka 9 muaj në këtë rast? Atëherë çfarë ka ndodhur? Të gëzuar nga krushqia injorante që kanë bërë të dy palët, PS dhe PD, kanë menduar se mund të shkelin kudo, kanë menduar se mund ta shkelin Kushtetutën në të gjithë aspektet e saj dhe e kanë shkelur edhe në afatet prekluzive. Këto afate nuk janë teknike. Vetëm barbaria nuk e kupton dot afatin prekluziv të procedurës. Demokracia është procedurë dhe procedurë do të thotë afate.
Si shikoni zgjidhjen e mëtejshme të rregullimit të Kodit Zgjedhor, tashmë që drafti ndodhet në tavolinat e Komisionit parlamentar të Ligjeve në Kuvend?  
Zgjidhja e mëtejshme e këtij procesi vjen me ndryshimin e një prej afateve, ose afati i mbajtjes së zgjedhjeve, ose afati i shpalljes së zgjedhjeve nga Presidenti. S'ka rrugë tjetër. Këta i kërkojnë Presidentit të shkelë Kushtetutën. Presidenti po tregohet në lartësinë e duhur, nuk po pranon asnjë shkelje të saj. Ndërsa këta që miratuan ligjin treguan injorancën e tyre.
Fakti që 112 deputetë që miratuan Kodin Zgjedhor dhe nuk e panë këtë përplasje procedurale, si komentohet prej jush?
112 deputetë që ngritën kartonin nuk e kanë lexuar fare Kodin. Unë e kam marrë Kodin në orën 10:00 të asaj dite, e kam kërkuar me ngulm që të më binte në dorë ai draft që të njihesha dhe ta studioja. Deputetët nuk patën kohë të respektonin afatet procedurale. Madje, në Kuvend nuk u lejua të bëhej as kriticizmi, duke çuar në këto rezultate ku fitoi injoranca.
Pati gjithashtu dhe komente që Presidenti mund ta kishte tejkaluar këtë përplasje...?     
Më falni, por u dëgjuan dhe mendime absurde që kërkonin shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit, me justifikimin që edhe ne e kemi bërë më parë një gjë të tillë dhe s'ka asgjë të keqe të shkelësh dokumentin themeltar të shtetit. Presidenti po qëndron të lartësinë e duhur dhe për këtë duhet përgëzuar dhe jo sulmuar. Me këtë rast Presidenti po i thyen hundët të gjitha shkeljeve kushtetuese.
Tani që Kodi është kthyer mbrapsht, shikoni reflektime dhe hapësira që të bëjnë të mundur rregullime për të cilat disa deputetë hynë edhe në grevë urie?
Nuk e di unë një gjë të tillë, duhen pyetur ata që e miratuan dhe injoruan zërin dhe mendimin e pakicës.

Xhufi: Kthimi i Kodit Zgjedhor të shërbejë për amendimet e nevojshme

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, e konsideroi dje kthimin e Kodit në Kuvend nga ana e Presidentit si një mundësi për të bërë ato amendime që nevojiten për një gjithëpërfshirje të forcave politike në administrimin e zgjedhjeve. "Na lejohet të shprehim edhe shpresën që ky moment, këto ditë që krijohen për ta kaluar në Parlament Kodin, me ndryshimin e justifikueshëm dhe të arsyeshëm, të shërbejnë për të bërë ato ndryshime, të cilat janë të nevojshme e për të cilat shumë kolegë, qoftë majtas, qoftë djathtas, janë sot më të ndërgjegjshëm se kurrë", tha Xhufi. Këtë deklaratë kreu i grupit parlamentar të LSI-së e bëri dje gjatë seancës parlamentare të Kuvendit. Ai tha se shumica që votoi Kodin me shpejtësi shprehu nervozizëm ndaj veprimit të presidentit. "Lajmi i djeshëm ishte mosdekretimi nga Presidenti i Republikës i Kodit, i cili kaloi para pak kohësh në Parlament me një shumicë dërrmuese votash dhe ky fakt natyrisht, në mënyrë të dukshme, ngjalli një nervozizëm, sidomos tek ata që votuan këtë Kod. Një nervozizëm, i cili u pa qartas edhe në reagimin e zonjës Topalli, kryetares së Parlamentit, e cila ndoshta për një ditë u ndje si mbretëreshë dhe nuk nguroi të shigjetojë edhe Presidentin e Republikës, të cilin e quajti, madje në mënyrë të padenjë, President i të vegjëlve", tha Xhufi. Sipas tij, veprimi i presidentit Topi ishte një sfidë ndaj dy partive, PS-PD. "Nuk e konceptojmë, ne të paktën, që Presidenti i ka bërë një sfidë Partisë Demokratike apo i ka bërë një sfidë Partisë Socialiste, apo i ka bërë një sfidë bashkë Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, të cilat kanë prodhuar boll aborte politike në këto kohët e fundit. Aq më pak, në gjykimin tonë të ftohtë, Presidenti nuk ka dashur t'i bëjë një nder atyre partive që nuk njohin veten në Kod, ku bën pjesë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Sepse gjithkush e di fort mirë se pretendimet tona dhe gjykimi ynë ndaj këtij Kodi shkon shumë e shumë përtej një mosrakordimi të thjeshtë të termave kohorë midis Kushtetutës dhe Kodit në fjalë", tha Xhufi.

PDK, Shpani: Topi e tregoi se qëndron mbi palët

Partia Demokristiane vlerësoi vendimin e presidentit të vendit, Bamir Topi për mos dekretimin e ligjit zgjedhor. "Presidenti Topi me vendimin e tij bëri të qartë se është mbi palët, dhe se vërejtjet tona ishin të drejta në lidhje me ligjin e ri antikushtetues që miratuan dy partitë", deklaroi kreu i grupit të PDK-së, Ndue Shpani. Ai theksoi se duhet të rishikohen kërkesat e paraqitura nga dy partitë LSI dhe PDK. "Maxhoranca PD-PS votoi në mënyrë të verbër ligjin zgjedhor, por me ngritjen e kartonit deputetët nuk lexuan nenet e Kodit Zgjedhor, duke votuar për një ligj antikushtetues", deklaroi Shpani. Ai bëri të ditur se grupi parlamentar të PDK-së mbështet fuqishëm dekretin e presidentit dhe i bëri thirrje deputetëve të reflektojnë mbi propozimet e kërkuara nga ana e deputetëve të PDK-së, për pjesëmarrje në komisionet që administrojnë procesin zgjedhor. "Kthimi i dekretit presidencial vërteton vërejtjet dhe kritikat që ne dhe faktori ndërkombëtar i kemi bërë Kodit. Ai ka parregullsi të mëdha sidomos në disa nene që i kanë rregulluar mirë dy partitë e mëdha", deklaroi Shpani. Demokristianët pritet të paraqesin sërish propozimet e tyre për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke kërkuar që të përfaqësohen me anëtarë në komisionet zgjedhore në votimet që priten të mbahen më 21 qershor të vitit 2009.

Anëtarët e KQZ, rroga qyl për 5 vjet

Aristir Lumezi

Anëtarët e KQZ-së aktuale do të vazhdojnë të marrin rrogën edhe nëse nuk punojnë edhe për tre vjet të tjera. Kodi i ri Zgjedhor, në nenin 182 të tij, i cili ka të bëjë me ndërprerjen e mandatit të anëtarëve ekzistues të KQZ-së, sanksionon se anëtarët, të cilët për shkak të përkatësive partiake nuk do të ripropozohen si anëtarë të rinj të KQZ-së së re, do të marrin të njëjtën pagë si të ishin në detyrë. Në këtë mënyrë, buxheti i shtetit do të detyrohet të mbajë me rroga, aspak modeste, rreth 160 mijë lekë të reja, anëtarët e dy Komisioneve Qendrore të Zgjedhjeve, ata që janë në detyrë dhe ata që janë në "pension të parakohshëm" për shkak të riformatimit të ri të këtij komisioni. Por periudha e cila do të trajtojë financiarisht ish-anëtarët e KQZ-së është trevjeçare, por dhe gjysmë page për dy vitet pas trevjeçarit. Përcaktimet e Kodit për të trajtuar anëtarët aktualë të KQZ-së që rrezikojnë të mbeten jashtë saj, janë ta paprecedentë, pasi të tilla përfitime nuk merr as presidenti, as kryeministri dhe as kryetari i Kuvendit pas mbarimit të mandatit të tyre. Krerët e shtetit, por dhe Prokurori i Përgjithshëm, pas mbarimit të mandatit trajtohen për tre vjet me gjysmën e pagës së tyre.     Hartuesit dhe miratuesit e Kodit të ri Zgjedhor, të cilët u interesuan që të ulin shpenzimet administrative duke pakësuar numrin e anëtarëve të komisioneve, përfshi këtu dhe ato të numërimit, do të mbajnë me rroga të majme të gjithë anëtarët aktualë të KQZ-së, që për arsye politike do t'u duhet të largohen nga kjo detyrë. Mbetet në vullnetin e partive politike që do të kenë anëtarë në KQZ të mbajnë ose të heqin nga funksioni anëtarët e KQZ-së aktuale që janë propozuar prej tyre, në të kundërt kjo do ta rëndonte dyfish buxhetin e shtetit. "Anëtarit të KQZ-së që i ndërpritet mandati për shkak të këtij Kodi, përfiton pagën e funksionit deri në përfundim të mandatit sipas ligjit me të cilin është zgjedhur, por jo më shumë se tre vjet", thuhet në pikën 2 të këtij neni. Por vlerësimi i veçantë financiar ndaj KQZ-së aktuale nuk mbaron këtu. Ata do të trajtohen me të njëjtën pagë, ose do t'i kompensohet ajo me nivelin aktual të tyre për një periudhë trevjeçare, edhe nëse ata nisin punë në administratë publike. Në pikën tre të këtij neni thuhet se, "anëtarit të KQZ-së që i ndërpritet mandati, kthehet në funksion publik të mëparshëm ose emërohet si një funksion ekuivalent me të.

anetaret

    Çlirim Gjata
    Flamur Çato
    Dëshira Subashi
    Fatmir Kumbaro
    Klement Zguri
    Dodë Prenga
    Arben Ristani
    Genti Shala
    Shkëlqim Hysi

Neni 182

Ndërprerja e mandatit të anëtarëve ekzistues të KQZ-së
1. Anëtarëve të KQZ-së të zgjedhur sipas ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 i ndryshuar, që iu ndërpritet mandati para kohe për shkak të këtij kodi, qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij Kodi.
2. Anëtarit të KQZ-së që i ndërpritet mandati për shkak të këtij Kodi, përfiton pagën e funksionit deri në përfundim të mandatit sipas ligjit me të cilin është zgjedhur, por jo më shumë se tre vjet.
3. Anëtarit të KQZ-së që i ndërpritet mandati, kthehet në funksion publik të mëparshëm ose emërohet si një funksion ekuivalent me të.
4. Në rast se anëtari i KQZ-së emërohet brenda periudhës së përfitimit të pagave të funksionit të fundit sipas pikës 2 të këtij neni, masa e pagesës mbi pagën e re është një kompensim deri në nivelin e pagës referuese të funksionit, por në çdo rast ajo nuk mund të jetë më shumë se paga e funksionit të fundit dhe jo më gjatë se sa periudha e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

BE: Kthimi i Kodit Zgjedhor, hapi i duhur

Bashkimi Evropian vlerëson kthimin e Kodit për rishqyrtim në Parlament nga ana e presidentit, si hapin e duhur për realizimin e zgjedhjeve brenda afateve. Qëndrimin e bëri të ditur dje shefi i njësisë për Shqipërinë në drejtorinë e Zgjerimit të KE-së, Dirk Lange gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. "Është një mënyrë e drejtë, nëse ka një analize ligjore nga Presidenti të Kodit Zgjedhor për të parë a ka problem me kohën dhe të kthehet në Parlament për t'iu kërkuar nëse është e nevojshme për t'u amenduar. Për mua është hapi i duhur dhe shpresoj sigurisht, që Kodi do të miratohet në kohën e duhur në mënyrë, që zgjedhjet të zhvillohen nëpërmjet Kodit të ri Zgjedhor brenda afateve, që parashikon legjislacioni juaj", tha Lange. Komisioni vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vlerësuar faktin, se problemet e ngritura po gjejnë adresim të menjëhershëm nëpërmjet strategjive dhe plan veprimit të miratuar tashmë nga qeveria. Në raportimin e saj, ministrja Bregu theksoi rëndësinë, që qeveria shqiptare i kushton monitorimit të planveprimit lidhur me korrupsionin, monitorim ky që do të bëhet nga struktura në nivel të lartë administrativ. Sipas njoftimit të Ministrisë së Integrimit, Komisioni Evropian vlerësoi gjithashtu, reformën në fushën e drejtësisë si dhe konsensusin politik të arritur, i cili ka rezultuar me një sërë ligjesh të rëndësishme në këtë fushë, veçanërisht ligji "Për administratën gjyqësore", "Për avokatët/noterët", ligji "Për Përmbarimin", ndryshimet ligjore "Për Prokurorinë" dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë etj. Lidhur me këtë çështje ministrja Bregu deklaroi para komisionit, se buxheti i 2009 për gjyqësorin ka një rritje të konsiderueshme rreth 3 herë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›