Thaçi: Askush nuk mund të pengojë shtrirjen e EULEX
Veriu i Kosovës është tensionuar sërish, pasi misioni EULEX mori edhe miratimin e qeverisë kosovare për të hyrë në Kosovë më 9 dhjetor. Edhe pse serbët e Kosovës deklaruan se misioni evropian u duket më i pranueshëm, pasi OKB miratoi kushtet e vendosura nga Serbia, gjendja Mitrovicë mbetet tejet delikate. Në Lagjen e Boshnjakëve gjatë natës së të mërkurës ka pasur incidente të njëpasnjëshme. Nëntë makina janë dëmtuar dhe një vajzë 16-vjeçare është sulmuar nga të panjohur. Sipas zëdhënësit të policisë, Besim Hoti, "Policia ka regjistruar dëmet e shkaktuara kryesisht në xhamat e veturave me targa 'KS', të cilat besohet se janë shkaktuar me përdorim të disa sferave metalike nga ana e personave ende të paidentifikuar. Një rast i ngjashëm i dëmtimit kriminal të automjetit është regjistruar rreth orës 22:30, në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, të parkuar në rrugën "Knjaz Millosh", në veri të Mitrovicës, ndërsa në orët e para të mëngjesit të së enjtes, policia e Kosovës ka regjistruar dëme materiale në një veturë të misionit të Kombeve të Bashkuara". Ndërsa sulmi i vajzës 16-vjeçare është konsideruar si sulm me motive ndëretnike. "Rastin e sulmit fizik ndaj vajzës 16-vjeçare e konsiderojmë si rast tipik me motive ndëretnike, marrë parasysh ankesën e viktimës mbi sulmuesit e saj të nacionalitetit serb", tha Hoti. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i ka dënuar këto incidente duke i lidhur ato me kundërshtimin e serbëve për vendosjen e EULEX-it në veri, që në fillim të vendosjes së misionit. "Askush s'do të mund të pengojë shtrirjen e EULEX-it", tha Thaçi, duke shtuar se mbi incidentet e ndodhura, gjithçka është ende në proces të zbardhjes së ngjarjes. Kreu i qeverisë së Kosovës ka shprehur bindjen, se shumë shpejt ngjarja do të zbardhet dhe EULEX do të vendoset në të gjithë vendin. "Ky proces duhet të përcillet përmes dialogut, paqes dhe stabilitetit. Nuk do të ketë vend për ekstremistë radikalë, struktura paralele apo ilegjitime. Ligji do të funksionojë në gjithë territorin e Kosovës, edhe në veri, dhe EULEX-i do të jetë edhe atje, që ditën e parë", theksoi Thaçi. Incidentet në veri shënohen pak ditë para se të fillojë punën misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, zyrtarë të së cilit kanë premtuar se do të shtrihen edhe në veri, pa marrë parasysh kundërshtimet e serbëve lokalë ndaj këtij misioni.
Ivanoviç: EULEX, jo më 9 dhjetor
Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se pjesëtarët e EULEX-it në veri të Kosovës nuk do të vendosen në pozicionet e tyre më 9 dhjetor, ashtu siç është paralajmëruar për zbarkimin e të gjithë misionit. Deklarata e Ivanoviç u pa si një përpjekje për të ulur tensionin në veri të Kosovës, ku mendohet se funksionojnë struktura paralele serbe të drejtuara nga nacionalistë, të cilët i kundërshtojnë vendimet pro evropiane dhe çdo vendim të përmendur në planin e Ahtisarit, duke organizuar popullsinë serbe në veri kundër tyre. "Vendosja e EULEX më 9 dhjetor është një afat hipotetik, pasi një ditë përpara mbahet mbledhja e ministrave të Jashtëm të BE-së, ku me siguri do të merret vendimi politik që do të mundësojë operacionalizimin e shtrirjes së EULEX-it", tha Ivanoviç, duke shtuar se EULEX-i do të vendoset patjetër në veri të Kosovës, pasi ky është vendim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilin Serbia e respekton.